Ministri Demo shënjestron prapaskenën politike: Hetim për organizatorët dhe financuesit të dhunës
Ministri i Brendshëm, Ervin Demo, ka deklaruar se do të kërkojë hetim për organizatorët dhe financuesit të dhunës së shtunës në Tiranë, duke paralajmëruar se përgjegjësia nuk kufizohet vetëm tek autorët e drejtpërdrejtë.

Ministri i Brendshëm, Ervin Demo, ka reaguar pas protestave të dhunshme të shtunës në Tiranë, duke paralajmëruar hetime jo vetëm për personat që sulmuan policinë dhe dëmtuan pronë, por edhe për organizatorët apo financuesit e mundshëm të akteve të dhunës.
Demo ka deklaruar se persona të maskuar sulmuan efektivët e Policisë së Shtetit me gurë, mjete piroteknike, shkopinj dhe sende të forta, ndërsa dëmtuan institucione publike dhe plaçkitën pronë private. Ai ka theksuar se këto veprime nuk kanë asnjë lidhje me të drejtën kushtetuese të protestave dhe nuk mund të përdoren si instrument politik për goditjen e institucioneve.
Ministri ka ngritur çështjen e përgjegjësisë së atyre që mund të qëndrojnë pas organizimit dhe financimit të dhunës. "Përgjegjësia nuk kufizohet domosdoshmërisht tek autorët e drejtpërdrejtë. Çdo dyshim për organizimin, financimin apo nxitjen e akteve të dhunës, përfshirë përfshirjen e mundshme të strukturave politike apo grupimeve ekstremiste, duhet të hetohet nga organet kompetente dhe të vlerësohet mbi bazë të provave", ka deklaruar Demo.
Ministri nuk ka përmendur emra apo struktura konkrete politike. Megjithatë, kërkesa e tij për hetimin e organizimit dhe financimit e zhvendos çështjen përtej personave që marrin pjesë drejtpërdrejt në përsëritjet me policinë.
Nëse hetimet provojnë se persona të tjerë kanë organizuar apo financuar akte të dhunës, organet e drejtësisë duhet të percaktojnë përgjegjësinë e tyre sipas ligjit. Demo ka paralajmëruar se për çdo shkelje do të kërkojë përgjegjësi individuale dhe, sipas rastit, përgjegjësi për dëmet ndaj pronës publike dhe private.
Ministri ka konfirmuar se autoritetet kanë pezulluar një punonjës policie dhe kanë nisur hetimet për incidentin. "Ligji është i njëjti për të gjithë, edhe për ata që mbajnë uniformën e Policisë së Shtetit", ka thënë ministri, duke kërkuar hetim të paanshem për çdo pretendim mbi përdorimin e paligjshëm apo joproporcional të forcës.
Demo ka shprehur mbështetjen për efektivët e policisë që u përballe me sulmet gjatë protestave, duke theksuar se detyra e tyre kërkon vendosmëri, por edhe profesionalizëm dhe vetëpërbajtje. Ai ka sjellë si shembull Francën dhe Italinë, ku sipas tij, autoritetet mbrojnë të drejtën e protestave, por ndëshkojnë akte të dhunës sipas ligjit.
Ministri ka deklaruar se qeveria mbetet e hapur për dialog me qytetarët dhe për trajtimin e kërkesave të tyre, ndërsa ka kundërshtuar përdorimin e dhunës si mjete presioni politik. Reagimi i Ervin Demos vendos dy çështje përpara organave të drejtësisë. E para lidhet me identifikimin e personave që ushtruan dhunë dhe hetimin e organizatorëve apo financuesve të mundshëm. E dyta lidhet me përgjegjësinë e policisë për përdorimin e forcës, veçanërisht në rastin e të riut të lënduar në sy.