"Rama po shpall diktaturën në Shqipëri" - Osman Stafa shpërthen në News24
Gazetari Osman Stafa ka bërë një deklaratë të fortë në emisionin “News24 Fundjavë”, duke kritikuar ashpër kryeministrin Edi Rama për paketën e re ligjore kundër dhunës në protesta.

Gazetari Osman Stafa ka bërë një deklaratë të fortë në emisionin “News24 Fundjavë”, duke kritikuar ashpër kryeministrin Edi Rama për paketën e re ligjore kundër dhunës në protesta. Stafa e cilësoi nismën si një përpjekje për të kufizuar liritë e qytetarëve, ndërsa akuzoi qeverinë se po shmang përgjegjësinë për dhunën e raportuar ndaj studentëve dhe të rinjve.
Sipas gazetarit, paketa e re ligjore përbën një rrezik për demokracinë dhe duhet të shqyrtohet nga Gjykata Kushtetuese. Ai ngriti shqetësimin se masat ndëshkuese po drejtohen ndaj protestuesve, ndërsa nuk po prezantohen masa të ngjashme për efektivët e policisë që dyshohen se kanë ushtruar dhunë.
“Sot çfarë bën kryeministri? Shpall diktaturën. Paketa e re e ligjeve është shpallje e diktaturës së mirëfilltë në Shqipëri. Unë nuk e di se sa do të kenë këllqe anëtarët e Gjykatës Kushtetuese për ta rrëzuar këtë paketë ligjore, sepse duhet të mbrojnë Republikën”, tha Stafa.
Stafa u ndal edhe te përbërja e protestave, duke deklaruar se pjesëmarrja e lartë e të rinjve tregon shqetësimin e tyre për të ardhmen dhe mungesën e perspektivës në Shqipëri. Ai kritikoi gjithashtu mënyrën e përdorimit të fondeve publike, duke përmendur shpenzimet për projekte të qeverisë dhe duke i krahasuar ato me vështirësitë që, sipas tij, përballojnë qytetarët në sistemin shëndetësor.
“Ku i çojnë këta? Emergjencë për këta nuk janë nënat që vuajnë nga kanceri dhe baballarët që janë në spitalin onkologjik. Është koncerti i Kanye West. Ne kemi Kopshtin Eden te Kryeministria. Ai është emergjencë për kryeministrin, se nuk ka një vlerë Kopshti Eden për qytetarët shqiptarë. Zero! 4.3 milionë euro kryeministri i çon atje. Ne kemi satelitë që nuk na kanë shërbyer për asgjë”, tha Stafa.
Në një moment emocional të intervistës, gazetari u shpreh se situata nuk duhet të shihet më si përplasje mes Partisë Socialiste dhe Partisë Demokratike, por si një çështje që lidhet me të ardhmen e vendit. Stafa deklaroi se qytetarët duhet të vendosin interesin e Shqipërisë mbi përkatësitë partiake, ndërsa kritikoi klasën politike të 36 viteve të fundit.
“Nuk ka më çështje që lidhet me partitë politike në momentin që ndodhet Shqipëria. Nuk ka të bëjë më as me PS-në, as me PD-në. Mbaje partinë, mbaje në zemër Edi Ramën apo Sali Berishën, kë të duash ti. Sot është momenti që ti të kesh në zemrën tënde vendin tënd, Shqipërinë, sepse partia digjet. Shqipëria nuk duhet të digjet!”, tha Stafa.
Në përfundim, Stafa përsëriti kritikat ndaj Ramës, duke e akuzuar se po kërkon të forcojë pushtetin përmes masave kufizuese dhe se nuk ka përmbushur pritshmëritë e qytetarëve pas katër mandateve qeverisëse.
“Shqipëria do të shkojë në Europë me këtë apo pa këtë. Por ti nuk mundesh dot t’i vësh zjarrin vendit tënd, të largosh të rinjtë nga vendi yt, t’i kesh spitalet siç i ke dhe t’i thuash Shqipërisë se nuk do ta çojnë në Bashkimin Europian. Ai do të mbetet vetëm në histori si njeriu i cili po shpall dhe po kërkon diktaturë në Shqipëri dhe që ka rrahur, ka masakruar studentët dhe gjimnazistët”, u shpreh ai.