Stanley Matthews, legjenda që sfidoi të atin për t’u bërë futbollist, ai fitoi Topin e parë Artë…
Stanley Matthews ishte një futbollist anglez i njohur për karrierën e tij të shkëlqyer dhe fitoren e Topit të Artë në vitin 1956. Ai kërcënoi të largohej nga shtëpia për të ndjekur ëndrrën e tij të bërë futbollist dhe përfundoi në histori si fituesi i parë i Topit të Artë.

Stanley Matthews ishte një futbollist anglez i njohur për karrierën e tij të shkëlqyer dhe fitoren e Topit të Artë në vitin 1956. Ai kërcënoi të largohej nga shtëpia për të ndjekur ëndrrën e tij të bërë futbollist dhe përfundoi në histori si fituesi i parë i Topit të Artë.
Matthews u përzgjodh për ekipin e rinjve të Anglisë dhe nisi rrugëtimin drejt futbollit profesionist te Stoke City, fillimisht si punonjës i klubit. Talenti i tij nuk vonoi të binte në sy. Më 29 shtator 1934, në moshën 19 vjeç e 240 ditë, ai debutoi me kombëtaren e Anglisë në fitoren 4-0 ndaj Uellsit, në Cardiff, duke shënuar edhe golin e fundit të takimit.
Lufta e Dytë Botërore ndërpreu karrierën e tij në kulmin e zhvillimit. Matthews shërbeu në Forcat Ajrore Mbretërore, ku u angazhua edhe me ekipin e futbollit të RAF-it. Në vitin 1947, ai u transferua te Blackpool për 11.500 paund. Shumë kush mendonte se karriera e tij po i afrohej fundit, por Matthews kishte ende shumë për të dhënë.
Momenti i madh me klubin erdhi më 2 maj 1953, në finalen e Kupës së Anglisë kundër Bolton Wanderers. Blackpool fitoi 4-3 në një ndeshje dramatike, ku Stan Mortensen shënoi tre gola dhe Bill Perry realizoi golin vendimtar në minutat e fundit. Matthews, me fanellën numër 7 në krahun e djathtë, ishte një nga protagonistët e triumfit që i dha klubit trofeun e tij të vetëm madhor.
Për të, ajo fitore kishte edhe një domethënije personale: ishte trofeu që i kishte premtuar të atit. Në vitin 1956, Stanley Matthews fitoi edicionin e parë të Topit të Artë, çmimin e krijuar nga revista franceze France Football. Ai u bë kështu futbollisti i parë që e mori këtë vlerësim, duke hyrë përgjithmonë në historinë e sportit.
Një nga veçantitë e historisë së tij është se Matthews mbetet fituesi i vetëm i Topit të Artë që, në kohën e çmimit, përfaqësonte një klub që nuk e ka fituar kurrë titullin e kampionit të ligës në vendin e tij. Blackpool nuk u shpall asnjëherë kampion i Anglisë, por me Matthews në përberje arriti një nga sukseset më të paharrueshme të historisë së vet.
Ai përfaqësoi Anglinë në Kupat e Botës të viteve 1950 dhe 1954, përpara se të rikthehej te Stoke City në vitin 1961. Më 1 janar 1965, Mbretëresha Elizabeth II e dekoroi me titullin kalorës, duke u bërë futbollisti i parë që mori këtë nderim.
Matthews ndërroi jetë më 23 shkurt 2000, në moshën 85-vjeçare. Në funeralin e tij, të zhvilluar në Stoke, morën pjesë figura të mëdha të futbollit anglez, mes tyre Bobby Charlton, Jack Charlton, Gordon Banks, Nat Lofthouse dhe Tom Finney.
Hiri i tij u vendos nën rrethin qendror të stadiumit të Stoke City-t, të cilin ai e kishte inauguruar zyrtarisht në vitin 1997. Një simbolik që e lidh përgjithmonë legjendën me vendin ku nisi rrugëtimin e tij.