Protestuesit të dhunuar nga Policia: Fati i tyre mister
Protestat e studentëve në Tiranë dhe në rrethet kanë nxjerrë në pah një detaj shqetësues, dhunën barbare ndaj tyre nga Policia e Shtetit. Policia ka përdorur dhunën barbare jo proporcionale kundër të rinjve dhe protestuesve duke nisur nga uji me kimikate të rrezikshme, shkopinj gome, kabël me tel, gurë, spraj, gaz lotsjellës si dhe plumba gome.

Protestat e studentëve që vijnë prej 12 ditësh në Tiranë dhe në rrethet kanë nxjerrë në pah një detaj shqetësues, dhunën barbare ndaj tyre nga Policia e Shtetit. Policia ka përdorur dhunën barbare jo proporcionale kundër të rinjve dhe protestuesve duke nisur nga uji me kimikate të rrezikshme, shkopinj gome, kabël me tel, gurë, spraj, gaz lotsjellës si dhe plumba gome.
Dosja.al, ka bërë një përmbledhje të të gjitha rasteve kur Policia ka tejkaluar ligjin duke dhunuar protestuesit, fati i të cilëve ende nuk dihet si është. Në mes të tyre është rastësi e 28-vjeçarit Erjon Vishkulli, i cili u plagos me plumb gome drejt në sy dhe rrezikon që të humbasë shikimin në syrin e majtë. Vishkulli është transportuar drejt Italisë me urgjencë për mjekim të specializuar, por nëse shikimi në syrin e tij do të rikthehet apo jo ende nuk dihet.
19-vjeçari Ledion Balla është dhunuar në mënyrë barbare nga disa efektivë të policisë gjatë ditës së parë të protestave të studentëve më 13 tetor. Balla nuk ishte fare protestues dhe pjesëmarrës në protestë, por një kalimtar rast. Teksa po kalonte në zonën para Parlamentit, Balla është kapur në pabesi nga disa efektivë dhe dhunuar në mënyrë barbare sa iu thye këmba. Aktualisht 19-vjeçari ndodhet te spitali i Traumës, por sa herë që mediat kërkojnë informacion në lidhje me shëndetin e tij, Ministria e Shëndetësisë refuzon të japë informacion.
Përplasja e të riut në asfalt te MAS
Muhamet Skana është një 21-vjeçar i cili u dhunua dhe u përplas me forcë në asfalt nga një efektiv i Policisë së Shtetit gjatë një proteste para Ministrisë së Arsimit në Tiranë. Pasi u përplas dhunshëm duke i shkaktuar përplasje të kokës në tokë, disa efektivë të tjerë e kanë dhunuar me shkelma dhe e kanë tërhequr zvarrë. Skana u dërgua në Spitalin e Traumës me fraktura të rënda në kafkë/kokë dhe në shtyllën kurrizore, si dhe hematoma në trup. Ai ka shfaqur probleme me kujtesë dhe vështirësi në memorizim, ndërkohë që informacionet për shëndetin e tij janë të cunguar.
Goditja e një protestuesi pa ndjenja
Një tjetër rast i rendë është regjistruar në zonën pas stadiumit "Dinamo" në Tiranë, gjatë një aksioni të forcave "Shqiponja". Një qytetar ka mbetur i shtrirë në mes të rrugës pa ndjenja pasi është goditur me shkop gome në kokë. Edhe pse protestuesi ishte pa ndjenja, dhuna policore ndaj tij nuk është ndalur deri në momentin që gazetaret shkuan dhe filmuan rastin. Ende nuk dihet si është gjendja shëndetësore e qytetarit të dhunuar teksa ishte pandjenja në tokë.
Dhunimi pa arsye i qytetarit nga dy efektivë
Dhuna policore ditën e djeshme ndaj protestuesve dhe qytetarëve ishte në shkelje të ligjit. Një qytetar teksa po shkonte në shtëpi është kapur nga dy efektivë të policisë dhe dhunuar në mënyrë barbare edhe pse kishte duart e ngritura lartë në formë dorëzimi.
Kjo protestë ka nxjerrë në pah dhe një shqetësim tjetër, dhunën policore ndaj gazetarëve në krye të detyrës. Deri më tani në 12 ditë protestë, me dhjetëra gazetarë dhe punonjës të medias kanë rënë pre e dhunës fizike nga ana e policisë teksa ndodheshin në krye të detyrës. Policia i ka gjuajtur me gurë, me spraj, gaz lotsjellës si dhe me ujë me piper apo me kimikate ekipet mediatike.