Demokratët Evropianë mbështesin protestat studentore në Shqipëri
Demokratët Evropianë kanë deklaruar se qëndrojnë në krah të studentëve shqiptarë që kërkojnë ndryshim dhe një të ardhme demokratike për vendin.

Protestat studentore në Shqipëri kanë marrë mbështetjen e Demokratëve Evropianë, të cilët nga kongresi i tyre në Athinë i kanë drejtuar një mesazh kryeministrit Edi Rama. Përmes një reagimi publik, Demokratët Evropianë kanë vlerësuar guximin e studentëve shqiptarë, duke theksuar se përpjekja e tyre lidhet me aspiratën për një Shqipëri demokratike dhe evropiane.
Në kongres ka marrë pjesë edhe deputetja e pavarur Marjana Koçeku, e cila ka folur për protestat e studentëve në Shqipëri dhe për simbolikën e lëvizjes së njohur si “Revolucioni i Flamingove”. Ajo theksoi se për shqiptarët Evropa nuk përfaqëson vetëm një destinacion gjeografik apo ekonomik, por mbi të gjitha vlerat e demokracisë, transparencës dhe llogaridhënies.
Gjatë fjalës së saj, Koçeku theksoi se flamingoja është shndërruar në simbol të rezistencës qytetare dhe të zgjimit demokratik, ndërsa ngriti akuza për përdorimin e dhunës ndaj studentëve protestues nga forcat e policisë. Ajo deklaroi se ka vizituar spitalet, ku për shkak të dhunës së rëndë të ushtruar ndaj studentëve protestues, po përdoren të gjitha mjetet për t’i ndaluar studentët të protestojnë dhe të kërkojnë të drejtat e tyre demokratike.