Të rinjtë para Kryeministrisë: Të gjithë jemi Erjon Vishkulli!
Të rinjtë kanë organizuar një protestë para Kryeministrisë në Tiranë për të shprehur solidaritetin me Erjon Vishkullin, një 28-vjeçar që u plagos në sy me plumb gome gjatë një demonstrate të mëparshme.

Të rinjtë kanë zgjedhur mesazhin “Të gjithë jemi Erjon Vishkulli” për të përcjellur përmes bluzave të tyre gjatë protestës sotme. Ky mesazh është një shprehje e solidaritetit të tyre me 28-vjeçarin që u plagos rëndë në sy nga një plumb gome gjatë demonstratës së një dite më parë. Erjon Vishkulli është nisur drejt Italisë për trajtim të specializuar mjekësor, me shpresën për të shpëtuar shikimin.
Përmes mbishkrimit “Të gjithë jemi Erjon”, të rinjtë kanë shprehur mbështetjen për bashkëmoshatarin e tyre, ndërsa kanë ngritur shqetësimin për përdorimin e forcës nga policia gjatë protestave. Rasti i 28-vjeçarit ka shkaktuar reagime të shumta, veçanërisht pas deklaratave të kryeministrit Edi Rama se ishte angazhuar për mbulimin e shpenzimeve të trajtimit të tij jashtë vendit.
Motra e Erjon Vishkullit ka deklaruar se dërgimi i të riut në Itali ishte mundësuar nga familjarët, miqtë dhe mbështetësit e tyre, dhe jo nga shteti. Ajo ka kërkuar gjithashtu që rasti i vëllait të saj të mos përdoret për propagandë politike. Ndërkohë, protesta studentore vijon përpara Kryeministrisë, ku të rinjtë kërkojnë dorëheqjen e Edi Ramës dhe kundërshtojnë masat e reja ligjore të paralajmëruara për tubimet e dhunshme.