Erjon Vishkulli në Itali për trajtim pasi u plagos me plumb gome në sy
Erjon Vishkulli, një student shqiptar, është dërguar në Itali për trajtim pasi u plagos rëndë në sy nga një plumb gome gjatë protestës studentore në Tiranë.

Erjon Vishkulli, një student shqiptar, është dërguar në Itali për trajtim pasi u plagos rëndë në sy nga një plumb gome gjatë protestës studentore në Tiranë. Përmes një mesazhi të publikuar pas mbërritjes në një spital në Romë, i riu ka bërë të ditur se do t’i nënshtrohet një tjetër ndërhyrjeje kirurgjikale, duke shprehur shpresën se do të arrijë të shpëtojë shikimin.
Gjendja e të riut ka shkaktuar reagime të shumta, ndërsa gjatë protestës së sotme përpara Kryeministrisë, studentët dhe qytetarët kanë shprehur solidaritetin me të përmes pankartave, bluzave me mbishkrimin “Të gjithë jemi Erjon Vishkulli” dhe fashimit simbolik të syrit.
Ndërkohë, familjarët e 28-vjeçarit kanë sqaruar se dërgimi i tij në Itali është mundësuar nga familja, miqtë dhe mbështetësit e tyre, duke kundërshtuar pretendimet se transferimi ishte organizuar nga shteti.
Motra e Vishkullit u ka bërë thirrje mediave që të mos e përdorin rastin për propagandë politike, ndërsa ka shprehur shpresën që vëllai i saj të kthehet shëndoshë e mirë në shtëpi.