Kurti thirr shqiptarët e Luginës të votojnë në Serbi
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka thirrur shqiptarët e Luginës të Preshevës, Bujanocit dhe Medvegjës të dalin dhe të ushtrojnë të drejtën e tyre për të votuar në zgjedhjet që po zhvillohen në Serbi.

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti këtë të dielë ka dalë me një reagim teksa u ka bërë thirrje shqiptarëve në Luginën e Preshevës, Bujanocit dhe Medvegjës që të dalin e të ushtrojnë të drejtën e tyre për të votuar në zgjedhjet që po zhvillohen në Serbi. Kurti thekson se ata ende nuk kanë votuar teksa u bëri thirrje të shfrytëzojnë kohën e mbetur.
Ai shton se çdo votë ka peshë për përfaqësimin dhe për të ardhmen e shqiptarëve të Luginës. Kurti ndër të tjera ka bërë thirrje që ata të mbështesin “Koalicionin Shqiptar”.
“Të dashur qytetarë të Preshevës, Bujanocit dhe Medvegjës, Ju që ende nuk keni votuar, ju ftoj ta ushtroni të drejtën tuaj. Shfrytëzojeni kohën e mbetur. Secila votë ka peshë për përfaqësimin dhe për të ardhmen tuaj.
Përbashkimi në “Koalicionin Shqiptar” kërkon sot pjesëmarrjen tuaj. Qëndresa ndaj diskriminimit dhe përkushtimi për barazi marrin forcë nga vullneti që shprehni në kutitë e votimit.
Dilni e votoni. Ftojini edhe familjarët e miqtë tuaj që ta ushtrojnë këtë të drejtë. Mbështeteni “Koalicionin Shqiptar”, numrin 17. Për një zë të fuqishëm dhe për mundësinë që secili e secila ta ndërtojë jetën në vendlindje. Ju falemnderit”, u shpreh Kurti.