Shqetësim për incidentet e dhunshme në qendrat e votimit në Serbi
Ambasadori i BE-së në Serbi, Andreas von Beckerath, ka shprehur shqetësim për incidentet e dhunshme të raportuara në disa qendra votimi gjatë procesit zgjedhor.

Ambasadori i Bashkimit Evropian në Serbi, Andreas von Beckerath, ka shprehur shqetësimin për incidentet e dhunshme të raportuara në disa qendra votimi gjatë procesit zgjedhor. Përmes një reagimi në rrjetin social X, diplomati evropian thekson se qytetarët serbë duhet të kenë mundësi të ushtrojnë të drejtën e tyre demokratike për të votuar në një mjedis të qetë dhe të sigurt. “Jemi thellësisht të shqetësuar për incidentet e dhunshme të raportuara në një numër qendrash votimi”, shkruan von Beckerath. Ai u bën thirrje të gjithë aktorëve të ruajnë qetësinë, të veprojnë me përgjegjësi dhe të shmangin dhunën dhe provokimet. Në reagimin e tij, ambasadori i BE-së u kërkon gjithashtu institucioneve kompetente të garantojnë sigurinë e të gjithë personave të përfshirë në procesin zgjedhor.