Protestuesi ende i shtruar në spital, bilanci i të lënduarve publikuar nga Ministria e Shëndetësisë
Ministria e Shëndetësisë publikon bilancin e të lënduarve gjatë protestës në Tiranë, 4 persona kanë kërkuar ndihmë mjekësore, njëri ende i shtruar në spital.

Ministria e Shëndetësisë dhe Mirëqenies Sociale ka publikuar bilancin paraprak të të lënduarve gjatë protestës sotme në Tiranë. Deri në orën 19:00 të kësaj dite, 25 tetor 2026, katër persona kanë kërkuar ndihmë mjekësore. Mes tyre janë dy protestues dhe dy efektivë të Policisë shtetërore.
Sipas njoftimit zyrtar, në Spitalin Universitar të Traumës janë paraqitur tre persona të lënduar. Dy prej tyre ishin protestues dhe një efektiv policie. Njëri prej protestuesve vijon të jetë i shtruar në spital, ndërsa protestuesi tjetër dhe efektivi i policisë kanë marrë trajtimin e nevojshëm mjekësor dhe janë larguar nga spitali.
Ndërkohë, në Qendrën Spitalore Universitare “Nënë Tereza” është paraqitur një tjetër efektiv i Policisë shtetërore, i cili po i nënshtrohet ekzaminimeve mjekësore.