Ministria e Shëndetësisë përditëson bilancin e të lënduarve nga protesta
Ministria e Shëndetësisë përditëson se katër persona janë paraqitur në spitale gjatë protestës, tre prej tyre kanë lënë spitalin, ndërsa një protestues vijon të jetë i shtruar.

Ministria e Shëndetësisë dhe Mirëqenies Sociale ka publikuar përditësimin e fundit mbi personat e lënduar gjatë protestës të së dielës, bazuar në informacionet paraprake nga strukturat spitalore. Sipas njoftimit të publikuar në orën 19:00, në Spitalin Universitar të Traumës janë paraqitur gjithsej tre persona të lënduar: dy protestues dhe një efektiv policie. Dy prej tyre, një protestues dhe efektivi i policisë, kanë marrë trajtimin e nevojshëm dhe kanë lënë spitalin, ndërsa një protestues vijon të jetë i shtruar. Ndërkohë, në Qendrën Spitalore Universitare “Nënë Tereza” është paraqitur edhe një efektiv policie, i cili po kryen ekzaminimet e nevojshme mjekësore.