Dialogu në ’90-ën dhe pse po refuzohet në 2026-ën
Blendi Gonxhe thotë se dialogu duhet parë si e vetmja rrugë për të arritur rezultate në një shoqëri demokratike.

Brenda një harku të shkurtër kohor, studentët arritën të vendosnin për fatin e tyre dhe të shprehnin ëndrrën e madhe për një Shqipëri demokratike. Studentët e vitit 1990 u ngritën në revoltë, pasi u mohohej liria dhe sistemi diktatorial, kishte ndrydhur ëndrrat, mendimet, lëvizjen dhe dëshirat jo vetëm të të rinjve por të gjithë shqiptarëve. Ndërsa për studentët e 36 viteve më vonë, liria nuk mjafton për të shuar revoltën e tyre, e cila e ka zanafillën në një tjetër lëvizje: protestën e vitit 2018. Në “Exclusive” me Rudina Muçën, Blendi Gonxhe thotë se ndryshe nga Dhjetori i vitit 1990, kur studentët kishin një qëllim të përbashkët për t’u përballur me regjimin komunist, sot dialogu duhet parë si e vetmja rrugë për të arritur rezultate në një shoqëri demokratike. Sipas tij, pavarësisht dallimeve mes dy periudhave, ulja në tryezë nuk duhet konsideruar si tërheqje nga kërkesat, por si një mundësi për t’i çuar ato përpara dhe për të realizuar aspiratat e të rinjve. “Revolta ka filluar në disa kuptime dhe drejtime në Institutin e Lartë të Arteve. Ndërsa problematikat rriteshin dhe zëri ynë bëhej më i fortë, ne kishim vizita nga përfaqësues të regjimit. Kërkonim të dinim: nëse Shqipëria është një fanar për botën, përse na pengoni ta shohim atë nga afër? Përse nuk na jepni pasaportat që të mund të lëvizim? Pyetjet kanë qenë nga më naivet në dukje, por edhe mënyra më të zgjuara për të shprehur atë që donim, duke lënë të kuptohej se duhej të hapeshim. E gjithë bota studentore kishte një zë të përbashkët dhe një ide të qartë: qëllimi ishte madhor, për t’u përballur me regjimin. Kjo duhej të bëhej sa më shpejt dhe përballja duhej të ishte me njeriun më të lartë të regjimit të asaj kohe, pra me Ramiz Alian. U zgjodhën ata që ishin zërat më protagonistë të asaj kohe. Si është e mundur që atëherë u arrit dhe pse është kaq e vështirë sot? Unë them se jemi në një situatë lirie të plotë dhe dialogun nuk duhet ta shohim si një alternativë, por si të vetmen rrugë që jep rezultat në një shoqëri demokratike, për të vazhduar më pas drejt realizimit të ëndrrës europiane. Na duhet një dialog sa më i shpejtë dhe pa kushte, që do t’i bëjë krenarë ata që do të shkruajnë historinë”, tha Gonxhe.