Kryeministri Rama: një përpjekje për damkosje kolektive
Kryeministri Edi Rama ka ashpërsuar tonet dhe po përdor një retorikë përçarëse dhe ndëshkuese ndaj studentëve, që shkon përtej paralajmërimit për zbatimin e ligjit. Studiuesit e historisë dhe psikoterapiajët e interpretojnë këtë si një përpjekje për "damkosje kolektive" të ngjashme me luftën e klasave të para viteve '90.

Që prej përshkallëzimit të protestave në përplasje të dhunshme me policinë, kryeministri Edi Rama ka ashpërsuar tonet dhe po përdor një retorikë përçarëse dhe ndëshkuese ndaj studentëve, që shkon përtej paralajmërimit për zbatimin e ligjit. Ai pretendoi fillimisht, pa paraqitur prova, se pas mobilizimit të të rinjve qëndrojnë shërbime të huaja si Rusia apo Irani, apo lëvizja ANTIFA, e shpallur si organizatë terroriste nga presidenti amerikan, Donald Trump. Më pas, ai kërcënoi me heqje bursash, kufizim të shërbimeve dhe me masa të tjera që prekin drejtpërdrejt të drejtat e garantuara në Kushtetutë. Retorika e përdorur nga kryeministri nuk ngre vetëm shqetësime për bazën kushtetuese dhe ligjore, por rikthen sipas studiuesve të historisë, reminishencat e së shkuarës totalitare të Shqipërisë. Njësoj si para viteve '90, ai po i paraqet protestuesit si armiq të popullit, agjentë dhe bashkëpunëtorë të fuqive të huaja. Kjo i hap rrugën shtimit të tensionit social dhe represionit nga organet ligjzbatuese. Edhe Çelo Hoxha, drejtor i Institutit të Studimeve për Krimet dhe Pasojat e Komunizmit, vëren reminishencat e një kulture autoritare në retorikën e Ramës. Ai thotë gjithashtu se sjellja e kryeministrit reflekton 'personalizimin e pushtetit' deri në atë pikë, sa shfaqet si "burim i autoritetit ligjor për gjithçka". Përgjegjësia e drejtuesit politik është që të vendosë kufij ndaj dhunës, duke ruajtur dallimin mes autorit të një veprimi të paligjshëm, protestuesit dhe kundërshtarit politik. Por retorika e përdorur nga kryeministri mbart sipas tij rrezikun që të rrisë edhe më tej mosbesimin dhe konfliktin. Historia dhe psikologjia, na kanë mësuar e vërtetuar vazhdimisht që forca mund të imponojë bindje, por nuk mund të prodhojë besim. Kushtetuta e Shqipërisë garanton të drejtat dhe liritë themelore të individit dhe parashikon se kufizimi i tyre bëhet vetëm me ligj, për një interes publik ose për mbrojtjen e të drejtave të të tjerëve, dhe duhet të jenë proporcionale me gjendjen që i ka diktuar ato. Studiuesit e historisë theksojnë se në çdo rast, përgjegjësia për veprime të paligjshme në një demokraci përcaktohet përmes procedurave ligjore dhe nga institucionet kompetente, jo përmes listave dhe urdhrave politikë të shpallur publikisht. Kërcënimi për ndalimin e hyrjes në BE për persona të caktuar ekspozon mangësitë e formimit juridik të Kryeministrit. Dëshirat e tij nuk janë akte normative, por shenja totalitarizmi.