Vrasja e gruas që raportoi dhunën në familje: Letra e viktimës drejtuar prokurorisë tre ditë më parë
Një grua është vrarë në Kosovë pasi kishte raportuar për dhunën në familje. Ajo kishte shkruar një letër drejtuar prokurorisë tre ditë më parë, duke shprehur pakënaqësinë e saj me zyrtarët që trajnonin rastin e saj.

Mbrëmjen e ditës së djeshme në Kosovë, në Vitomiricë, një grua mbeti e vrarë vetëm dy orë pasi kishte raportuar në polici për dhunë në familje. Është raportuar se viktima, tre ditë para vrasjes përmes një letre i është drejtuar kryeprokurores së Prokurorisë së Pejës, përmes së cilës ka shprehur pakënaqësinë e saj me zyrtarët të cilët po trajnonin rastin e saj. “Uroj që të mos detyroheni të jepni llogari vetëm pasi të jetë marrë jeta ime”, kishte shkruar viktima. Përmes kësaj letre, viktima kishte kërkuar hetime për të gjithë zyrtarët duke nisur edhe nga Qendra për Punë Sociale. “Kjo është shpresa ime e fundit”, kishte shkruar ajo. Lidhur me këtë çështje, Prokuroria Themelore në Pejë thotë se ka angazhuar prokuror për trajtimin e pretendimeve të viktimës, menjëherë pas pranimit të shkresës. “Pas pranimit dhe shqyrtimit të parashtresës, Kryeprokurorja, në kuadër të kompetencave ligjore, ka urdhëruar regjistrimin e saj për trajtim nga prokurori kompetent, me qëllim të vlerësimit të pretendimeve në aspektin e përgjegjësisë penale, në drejtim të veprës penale “Keqpërdorimi i pozitës apo autoritetit zyrtar””, thuhet në njoftimin e prokurorisë. Tutje bëhet e ditur se “parashtresa u është përcjellë për trajtim urgjent autoriteteve përkatëse institucionale, përfshirë Drejtorinë Rajonale të Policisë në Pejë, Gjykatën Themelore në Pejë, Drejtorinë për Mirëqenie Sociale dhe Qendrën për Punë Sociale, me kërkesën për shqyrtimin e pretendimeve dhe verifikimin e lëshimeve eventuale apo veprimeve të zyrtarëve përkatës, brenda përgjegjësive të tyre institucionale”.