Arrestohet 30-vjeçari që transportonte ilegalisht 11 emigrantë në Konispol
Një 30-vjeçar u arrestua në Konispol për të transportuar ilegalisht 11 emigrantë nga Irani dhe Iraku nëpërmjet kufirit me Greqinë.

Shërbimet e Komisariatit të Policisë Kufitare Sarandë, në vijim të kontrolleve dhe punës hetimore për parandalimin dhe goditjen e veprimtarisë kriminale të dhënies ndihmë për kalim të paligjshëm të kufijve, bazuar edhe në informacionet e siguruara në rrugë operative, organizuan dhe finalizuan operacionin e koduar “Tranzit”. Në kuadër të operacionit, u arrestua në flagrancë shtetasi V. D., 30 vjeç, banues në Lushnjë, i cili u kap në afërsi të Konispolit, duke transportuar me automjet (furgon), 11 shtetas nga Irani dhe Iraku, kundrejt pagesës 2500 eurosh për person. 11 emigrantët sapo kishin hyrë ilegalisht në territorin shqiptar, nëpërmjet kufirit tokësor me Greqinë, dhe dyshohet se synonin të kalonin ilegalisht në Itali. Në vijim të veprimeve procedurale, 11 emigrantët u proceduan për veprën penale “Kalimi i paligjshëm i kufirit shtetëror”. Materialet procedurale iu referuan Prokurorisë, për veprime të mëtejshme.