Arrestohet 21-vjeçari nga Azerbajxhani për transportimin ilegal të 6 emigrantëve drejt Malit të Zi
Një 21-vjeçar nga Azerbajxhani u arrestua në Shkodër për transportimin ilegal të 6 shtetasve të huaj drejt Malit të Zi.

Policia ka njoftuar se një 21-vjeçar nga Azerbajxhani u kap në rrugën automobilistike në Vukpalaj, pasi u gjet duke transportuar me automjet 6 shtetas të huaj, të cilët dyshohet se synonin të kalonin ilegalisht kufirin drejt Malit të Zi.
Shërbimet e Drejtorisë Vendore për Kufirin dhe Migracionin Shkodër, në vijim të kontrolleve për parandalimin dhe goditjen e veprimtarisë kriminale të dhënies së ndihmës për kalim të paligjshëm të kufirit, organizuan dhe finalizuan operacionin e koduar “Transit 5”.
Si rezultat i operacionit, shërbimet e Stacionit të Policisë Kufitare dhe Migracionit Bajzë arrestuan në flagrancë shtetasin F. B., 21 vjeç, banues në Zagatala, Azerbajxhan. Ky shtetas u kap në rrugën automobilistike në Vukpalaj, pranë kufirit me Malin e Zi, duke transportuar me automjetin tip “Hyundai” 6 shtetas nga vendet e treta, të cilët dyshohet se synonin të kalonin në mënyrë të paligjshme kufirin shtetëror me Malin e Zi.
Materialet procedurale u referuan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Pare të Juridiksionit të Përgjithshëm Shkodër, për veprime të mëtejshme.