Pabarazia në Shqipëri është më e lartë se mesatarja e BE-së
Pabarazia në shpërndarjen e të ardhurave në Shqipëri është më e lartë se mesatarja e Bashkimit Evropian, sipas Eurostat.

Pabarazia në shpërndarjen e të ardhurave në Shqipëri mbetet më e lartë se mesatarja e Bashkimit Evropian, ndërsa treguesi është përkërcyesuar lehtë gjatë vitit 2025, në krahasim me tendencën e përgjithshme evropiane.
Sipas të dhënave të Eurostat, koeficienti Gini, që mat pabarazinë në shpërndarjen e të ardhurave, arriti në 30.4 në Shqipëri në vitin 2025, nga 29.8 një vit më parë. Ky tregues është 1.2 pikë më i lartë se mesatarja e Bashkimit Evropian, prej 29.2.
Të dhënat tregojnë se, ndërsa në Shqipëri diferencat në shpërndarjen e të ardhurave janë zgjeruar, në vendet e Bashkimit Evropian është regjistruar një përmirësim i lehtë. Koeficienti Gini për BE-në zbriti nga 29.4 në vitin 2024 në 29.2 në vitin 2025.
Edhe të dhënat e fundit të INSTAT konfirmojnë zgjerimin e pabarazisë në vend. Sipas Anketës së të Ardhurave dhe Nivelit të Jetës, të publikuar në tetor, koeficienti Gini u rrit në 30.37%, nga 29.83% në vitin 2024, megjithëse të ardhurat mesatare të disponueshme për frymë u rritën me 10.5%.
Në Evropë, diferencat mes vendeve janë të konsiderueshme. Sipas Eurostat, Bullgaria kishte pabarazinë më të lartë në shpërndarjen e të ardhurave në Bashkimin Evropian, me një koeficient Gini prej 37.7, e ndjekur nga Letonia me 35.6 dhe Lituania me 35.5.
Në kahun tjetër, Sllovakia rezultoi vendi me shpërndarjen më të barabartë të të ardhurave, me një koeficient prej 23.0, e ndjekur nga Belgjika (23.4), Çekia (24.0), Sllovenia (24.6) dhe Polonia (24.9).
Në rajonin e Ballkanit Perëndimor, të dhënat më të fundit të disponueshme të Eurostat tregojnë një nivel relativisht të ngjashëm pabarazie, ndonëse vitet e referencës ndryshojnë. Serbia kishte një koeficient Gini prej 31.9 në vitin 2024, Mali i Zi 31.5 në vitin 2022 dhe Maqedonia e Veriut 30.3 në vitin 2023.
Koeficienti Gini mat shkallën e pabarazisë në shpërndarjen e të ardhurave të disponueshme të popullsisë, në një shkallë nga 0 në 100. Një vlerë zero nënkupton barazi të plotë, ku të gjithë individët kanë të njëjtat të ardhura, ndërsa vlera 100 përfaqëson pabarazinë maksimale, kur të gjitha të ardhurat përqëndrohen te një individ.