"Taulant Balla: E njoh personalisht Erjonin, por komentet e tij ndaj meje tregojnë të kundërtën"
Deputeti socialist Taulant Balla ka deklaruar se e njeh personalisht Erjon Vishkullin, njërin që u plagos gjatë protestave të studentëve në Tiranë. Sidoqoftë, komentet e Vishkullit ndaj Ballës tregojnë një tjetër gjë.

Kreu i Grupit Parlamentar të Partisë Socialiste, Taulant Balla ka reaguar për plagosjen e 28-vjeçarit Erjon Vishkulli, i cili mbeti i dëmtuar në syrin e majtë nga një plumb gome gjatë protestave të 24 tetorit. Aktualisht, i riu ndodhet në Itali për trajtim të specializuar mjekësor.
Në reagimin e tij në rrjetet sociale, Balla u shpreh se e njeh personalisht të riu, duke e përshkruar si pjesëtar të një familjeje fermerësh që prodhojnë vaj ulliri cilësor. Ai gjithashtu e cilësoi Vishkullin si një tifoz afërt me komunitetin e AF Elbasanit dhe Tifozat Kuq e Zi.
Por përtej përshkrimit të deputetit socialist, vëmendjen e kanë tërhequr komentet e mëparshme që Vishkulli ka bërë në rrjetet sociale ndaj vetë Ballës. Sipas komenteve të lënë nga Vishkulli në postimet e Taulant Ballës në rrjetet sociale, qëndrimi i të riu ndaj deputetit socialist duket larg atij të një personi me të cilin ka një raport të afërt. Kjo bie në kontrast me deklaratën e Ballës se e njeh personalisht 28-vjeçarin e plagosur.
Ndërsa Balla kujdeset të nenvizojë njohjen personale me Vishkullin, familjen e tij dhe pasionin për futbollin, duke përmendur edhe koordinimin mes mjekëve shqiptarë dhe italianë për ndërhyrjen në Romë, mbetet një detaj që nuk zgjidhet me komente në rrjetet sociale.
Kjo pasi, 28-vjeçari përfundoi me një plumb gome brenda syrit të majtë gjatë protestave të 24 tetorit, ndërsa qëndronte pa asnjë reagim agresiv.