Të kundërshtosh pushtetin nuk do të thotë se di ta fitosh atë!
Në një artikull të ri, një gazetar shqiptar argumenton se kundërshtimi i pushtetit nuk është një mënyrë e mirë për të fituar atë. Ai argumenton se kundërshtimi i pushtetit duhet të jetë një mënyrë e bindshme për të qeverisur më mirë.

Një nga gabimet e rëndomta të opozitës është se ngatërron aftësinë për të denoncuar pushtetin me aftësinë për ta zëvendësuar atë. Të tregosh dështimet, korrupsionin, arrogancën dhe hipokrizinë e qeverisë është një gjë; të ndërtoni një alternativë që bind qytetarët se mund të qeverisë më mirë është një gjë tjetër.
Në realitet, pushteti nuk humbet vetëm sepse është i keq. Ai humbet kur përballë tij ekziston një alternativë më bindëse.
Opozita mund të ketë të drejtë në çdo akuzë, të jetë e sakte në çdo denoncim dhe të fitojë duartrokitjet e turmës, por sërish mund të humbasë betejën politike. Dhe kjo, për shkak se zemërimi i qytetarëve nuk shndërrohet vetvetiu në votë, as pakënaqësia nuk përkthehet në besim dhe as dobesitë e kundërshtarit në forcën tundëse.
Politika nuk është vetëm arti i të thënës se çfarë nuk shkon. Është, mbi të gjitha, aftësia për të bindur se di si të vesh gjërat në vend.
Por kur opozita ngatërron zhurmën me forcën, protestën me organizimin, denoncimin me programin dhe refuzimin e pushtetit me gatishmërinë për ta marrë atë, ajo përfundon duke festuar betejat që nuk i fitojnë zgjedhjet.
Ndërkohe, pushteti vazhdon të qeverisë, jo domosdoshmërisht sepse është i mirë, por sepse kundërshtarët e tij nuk kanë arritur të bëhen bindshëm me të mirë.
Zhgënjimi që vjen pas kësaj është katastrofik. Jo vetëm sepse humbasin një apo dy zgjedhje, por sepse humbet koha, shpresa, thellohet mosbesimi dhe një shoqëri e lodhur detyrohet të rinise nga e para.
Ndërkohe, problemet mbeten po ato dhe pushteti fiton kohë pikërisht nga paaftësia e atyre që pretendojnë ta sfidojnë.
Prandaj, opozita nuk i mjafton të jetë kundër qeverisë. Ajo duhet të deshmojë se është e aftë të qeverisë. Nuk mjafton të denoncojë sistemin, por të bindë se mund të ndërtojë një tjetër. Nuk mjafton të kërkojë largimin e atyre që janë në pushtet, por duhet të shpjegojë pse ata që vijnë pas tyre do të jenë ndryshe.
Ndërkohe, qytetarët nuk kanë nevojë vetëm për një arsye për të rrëzuar pushtetin. Kanë nevojë për një arsye edhe më të fortë për të besuar dikujt tjetër.
Të kundërshtosh pushtetin është një aftësi politike. Ta fitosh dhe ta ushtrosh atë me përgjegjësi është një provë krejt tjetër.
Dhe kush i ngatërron qëllimisht këto të dyja, nuk rrezikon vetëm humbjen e radhës. I vjedh shoqërinë edhe disa vite të tjera jetë e shpresë.