Rusia zgjeron praninë ushtarake në Libi me 3 mijë ton pajisje
Rusia po zgjeron praninë ushtarake në Libi duke dërguar pajisje të reja, mjete logjistike dhe personel për të mbështetur operacionet në territorët që kontrollojnë forcat e komandantit libian Khalifa Haftar.

Rusia po zgjeron praninë ushtarake në Libi, duke dërguar pajisje të reja, mjete logjistike dhe personel për të mbështetur operacionet në territorët që kontrollojnë forcat e komandantit libian Khalifa Haftar. Sipas një analize të mbështetur në pamje satelitore të kompanisë amerikane Vantor, rreth 3 mijë ton pajisje ushtarake ruse mbërrinë në portin e Tobrukut në Libinë lindore.
Ngarkesa përfshinë rreth 50 kamione ushtarakë Tornado-U, 30 automjete të mbrojtura kundër minave, 10 transportues të blinduar personeli, si dhe municione, cisterna karburanti dhe uji, kuzhina fushore, njësi mjekësore dhe punishte të lëvizshme riparimi.
Sipas Jalel Harchaoui, analist për Libinë në Institutin Mbretëror të Shërbimeve të Bashkuara në Londër, dy anijet tregtare, Anastasiia dhe Yuriy Arshenevskiy, transportuan kryesisht pajisje logjistike dhe mjete për mbështetjen e operacioneve tokësore.
Prania ushtarake ruse përqendrohet në katër zona kryesore: pranë Bengazit dhe Sirtes, përgjatë bregdetit, në al-Jufra në pjesën qendrore të vendit dhe në Brak al-Shati në jugperëndim.
Ekspertët vlerësojnë se Moska synon të zgjerojë aktivitetin drejt kufirit jugor të Libisë me Nigerin dhe zonën kufitare me Çadin. Kjo shtrirje do t'i mundësonte Rusisë të forconte pozicionin e saj në një rajon me rëndësi strategjike për lidhjet ndërmjet Afrikës së Veriut dhe Sahelit.
Paralelisht me dërgesat ushtarake, Rusia po kërkon të rekrutojë personelin e specializuar për operacionet me dronë në Libi. Një njoftim i publikuar në një kanal rus në Telegram ofron kontrata për shtetas rusë deri në moshën 45 vjeç, pa shtetësi të dyfishtë, për të shërbyer si operatorë të dronëve sulmues në kuadër të Korpusit Afrikan të Federatës Ruse.