Zgjedhjet presidenciale në Bullgari shkojnë në balotazh
Zgjedhjet presidenciale në Bullgari shkojnë në balotazh pasi asnjë nga kandidatët nuk mori 50% të votave. Presidentja Iliana Iotova dhe ish-kryeministri Andrej Gjurov janë të dy në fushatë për të fituar postin e presidentit të ri.

Zgjedhjet presidenciale në Bullgari shkojnë në balotazh pasi asnjë nga kandidatët nuk mori 50% të votave. Presidentja Iliana Iotova mori 34.6 për qind të votave, ndërsa ish-kryeministri Andrej Gjurov siguroi 32.7 për qind. Pjesëmarrja në votime ishte 22.5 për qind, një pjesëmarrje e ulët sipas analistëve politikë në vend. Iliana Iotova shprehu shqetësim për pjesëmarrjen e ulët në votime dhe tha se të mendosh se mund të ndryshosh diçka në vend pa votuar është iluzion. Ish presidentja do ta vazhdoj fushatën e saj me thirrjet për qeverisje të qëndrueshme dhe jo për aleanca të formuara midis partive politike. Andrej Gjurov e sfidoi Iotovën të merrte pjesë në një debat publik përpara balotazhit dhe tha se Bullgaria ka nevojë për një president aktiv që bashkon qytetarët në vend që t’i ndajë ata. Votimi i së dielës mori rëndësi të shtuar pas një serie sulmesh me dronë ndaj anijeve tregtare në brigjet e Detit të Zi të Bullgarisë. Sulmet shkaktuan dënim ndërkombëtar dhe shqetësime rreth shtrirjes në rritje të luftës në Ukrainë. Bullgaria nuk e ka akuzuar drejtpërdrejt Rusinë për kryerjen e sulmeve, por kryeministri Rumen Radev tha se rezultati i tyre “është në dobi të Federatës Ruse”. Të dy kandidatët kryesorë presidencialë i dënuan sulmet, por ata kanë pikëpamje të ndryshme për luftën. Iliana Iotova mbështet negociatat për përfundimin e luftës në Ukrainë dhe kërkon marrëdhënie më të mira me Rusinë. Andrej Gjurov mbështet orientimin proevropian dhe bashkëpunimin më të fortë me Ukrainën dhe aleatët perëndimorë.