Plumbi në syrin e Vishkullit, vjen procedimi i parë penal ndaj policisë gjatë protestave
Prokuroria e Tiranës ka regjistruar procedimin e parë penal ndaj Policisë shtetërore për plagosjen e 28-vjeçarit Erjon Vishkulli, i cili u godit në sy nga një plumb gome gjatë protestave në Tiranë.

Prokuroria e Tiranës ka regjistruar procedimin e parë penal ndaj Policisë shtetërore për plagosjen e 28-vjeçarit Erjon Vishkulli, i cili u godit në sy nga një plumb gome gjatë protestave në Tiranë. Procedimi lidhet me plagosjen e Vishkullit dhe është regjistruar për veprat penale të parashikuara nga nenet 248 dhe 250 të Kodit Penal, që lidhen me shpërdorimin e detyrës dhe kryerjen e veprimeve arbitrare nga punonjësit shtetërorë, që dënohen deri në 7 vjet burgim.
Vishkulli u transportua drejt Spitalit të Traumës me makinën e një televizioni që ndodhej pranë vendit të ngjarjes. Pas disa orësh pritjeje dhe ekzaminimesh, ai iu nënshtrua një ndërhyrjeje kirurgjikale. Jashtë urgjencës u mblodhën dhjetra protestues, të shqetësuar për gjendjen e tij, e më vonë mbërritën edhe familjarët e të riut, të përlotur, pasi kishin udhëtuar nga Elbasani.
Mjekët kanë planifikuar një ndërhyrje të dytë në një klinikë të specializuar në Itali, me qëllim heqjen e trupit të huaj nga syri i Vishkullit. Për këtë, prokuroria thotë se po përgatit edhe një letërporosi për autoritetet italiane.
Në kuadër të hetimit janë administruar pamjet filmike të vëna në dispozicion nga Banka e Shqipërisë, si dhe kartela mjekësore e të riut nga Spitali Universitar i Traumës. Prokuroria thotë se po kryen veprime hetimore në bashkëpunim me Agjencinë e Mbikëqyrjes Policore (AMP).
Hetimi nuk kufizohet te rasti i Vishkullit. Në të njëjtin procedim po hetohen edhe dëmtimet e protestuesve të tjerë, pas dyshimeve për përdorim joproporcional të forcës nga punonjës të Policisë shtetërore.
“Deri tani janë administruar rreth 20 kartela mjekësore të personave të dëmtuar”, njofton Prokuroria, duke shtuar se po kryhen verifikime për këto raste në bashkëpunim me AMP-në.
Sipas Ministrisë së Shëndetësisë, vetëm gjatë 13–21 tetorit u lënduan 320 persona, mes tyre 92 protestues dhe gjashtë gazetarë, ndërsa Policia ka shoqëruar qindra protestues, nga të cilët deri më 23 tetor rreth 283 ishin arrestuar dhe mbi 200 ishin të mitur.
Policia e Shtetit njoftoi se Drejtori i Përgjithshëm ka urdhëruar Drejtorinë e Standardeve Profesionale të hetojë rrethanat e dëmtimit të 28-vjeçarit.
“Lidhur me incidentin gjatë të cilit 28-vjeçari E. V. pësoi dëmtim në sy, Drejtori i Përgjithshëm i Policisë shtetërore urdhëroi nisjen e menjëhershme të veprimeve përkatëse nga Drejtoria e Standardeve Profesionale, për hetimin e plotë dhe të paanshëm të rrethanave të ngjarjes”, thuhet në njoftimin e Policisë.
Në rrjetet sociale ka qarkulluar një shkresë zyrtare e Policisë shtetërore, e klasifikuar si “Tepër urgjente” dhe e firmosur nga zv.drejtori për Sigurinë Publike, kryekomisar Edmond Meshini. Dokumenti u drejtohet shtatë komisariateve të Tiranës dhe Komisariatit të Krujës dhe përcakton masat që duhet të zbatohen gjatë protestave.
Shkresa kërkon identifikimin e punonjësve të policisë dhe automjeteve të përdorura gjatë operacioneve, ruajtjen e pamjeve filmike në ambientet e shoqërimit dhe intervistimit, si dhe respektimin e garancive ligjore për të miturit.
Dokumenti vjen pas denoncimeve për dhunë policore, për efektivë me maska që vështirësojnë identifikimin e tyre dhe për të mitur të mbajtur në komisariate për 3 ditë. Këto shqetësime janë përfshirë edhe në kallëzimin penal të depozituar në SPAK nga Qendra Res Publica, së bashku me organizata të shoqërisë civile, avokatë, studentë dhe qytetarë.
Kallëzimi përfshin më shumë se 180 raste të dyshuara si të paligjshme gjatë protestave që nisën më 13 tetor, të dokumentuara përmes një databaze me pamje filmike. Ndër denoncimet janë përdorimi joproporcional i forcës, arrestimet arbitrare, trajtimi degradues i personave të ndaluar dhe pengimi i gazetarëve gjatë dokumentimit të ndërhyrjeve policore.
Kallëzuesit kërkojnë hetimin e drejtuesve të policisë dhe verifikimin e rolit të kryeministrit Edi Rama dhe ministrit të Brendshëm Ervin Demo.
“Represion i organizuar”: grupimi qytetar kallëzon në SPAK drejtuesit e policisë
Qeveria shpërblen 2,750 policë me 740 milionë lekë nga fondi rezervë
Vjolanda Peca ka përfunduar studimet e larta në Gazetari dhe Komunikim në Universitetin e Tiranës. Prej disa vitesh është e angazhuar në gazetari, me fokus raportimin investigativ, verifikimin e fakteve dhe prodhimin multimedial. Është angazhuar në disa media televizive dhe online, ku ka raportuar mbi çështje të krimit të organizuar, korrupsionit, transparencës publike, të drejtave të njeriut, çështjeve sociale dhe fenomeneve që prekin grupet e margjinalizuara.