Xavi Espart do të mungojë rreth shtatë javë për Barcelonën
Mbrojtësi i Barcelonës, Xavi Espart, do të mungojë rreth shtatë javë pas një dëmtimi në kyçin e këmbës së djathtë që ai pësoi gjatë El Clasicos kundër Real Madridit.

Mbrojtësi 19-vjeçar i Barcelonës, Xavi Espart, do të mungojë rreth shtatë javë pas një dëmtimi në kyçin e këmbës së djathtë që ai pësoi gjatë El Clasicos kundër Real Madridit. Sipas mediumit spanjoll Marca, ekzaminimet mjekësore të kryera të hënën kanë konfirmuar se Espart ka pësuar një dëmtim të sindesmozës në kyçin e këmbës së djathtë. Lëndimi erdhi pas një përplasjeje me Aurelien Tchouamenin në minutën e 10-të të ndeshjes së zhvilluar të dielën në Camp Nou. Espart arriti të qëndronte në fushë deri rreth minutës së 30-të, por dhimbjet e detyruan t’i kërkonte trajnerit Hansi Flick zëvendësimin. Mbrojtësi i ri kishte përjetuar shqetësime në të njëjtën pjesë të këmbës edhe pas ndeshjes së Ligës së Kampionëve kundër Paris Saint-Germainit, megjithatë ishte përfshirë në formacionin titullar ndaj Real Madridit. Mungesa e tij për afërsisht shtatë javë përbën një goditje për Barcelonën dhe trajnerin Flick, pasi Espart ishte shndërruar në një nga lojtarët e rëndësishëm të skuadrës. Megjithatë, tekniku gjerman shpreson që Eric Garcia, Jules Kounde dhe Andreas Christensen, të cilët aktualisht janë jashtë fushave, të rikthehen së shpejti në dispozicion. Lëndimi i Espartit mund t’i japë më shumë hapësirë Alejandro Baldes, i cili e zëvendësoi atë në El Clasico, si dhe Joao Cancelos për pozicionet e krahëve të mbrojtjes. Sipas Marca-s, Espart pritet të humbasë së paku ndeshjet e Barcelonës kundër Alavesit dhe Atletico Madridit në La Liga, si dhe përballjen e Ligës së Kampionëve kundër Aston Villas.