"Zdromsi Veliaj, një opozitar i ri, por me një histori të vjetër"
Politikari shqiptar Erion Veliaj, i cili ka qenë një opozitar i Edi Ramës, tani është një opozitar i Aleksandar Vučić, kryeministri serb. Ai ka deklaruar se protestat studentore në Shqipëri nuk janë fundi i botës, por fundi i një bote.

Po ky Zdromsi nga na doli kaq opozitar, me gjithë këtë shpirt revolucionar që i paska mbirë papritur brenda qelisë?! Njeriu që për vite me radhë e ka pasur Edi Ramën mentor politik, që ka ndarë me të pushtetin, skenën dhe gjithë atë histori të gjatë të servilizmit të peshtirë, tani na shfaqet si frymëzues i protestave studentore dhe si një mendimtar i madh që u jep leksione politikebëreshëve se si duhet të reagojnë ndaj kërkesave të qytetarëve. Mungon vetëm të dalë nga qelia me një shall revolucionar në qafë dhe të shpallë se ka ardhur koha për ndryshimin e sistemit.
Dhe kujt po i uron fitoren ky tribun i ri i demokracisë? Studentët serbë, që paskan rrëzuar, sipas tij, makiavelistin dhe populistin e Beogradit. Bëhet fjalë për Aleksandar Vučić-in, mikun e Edi Ramës, me të cilin kryeministri shqiptar ka ndërtuar një marrëdhënie të ngushtë politike, duke na shitur për vite me radhë bashkëpunimin me të si vizion për rajonin. Nëse Rama e kishte Vučićin mik, zdromsi Veliaj kishte Ramën mentor. Tani që nxënësi na paska zbuluar frymën opozitare, duket sikur ka vendosur të bëjë revolucion edhe kundër miqve të dikurshëm, pa na shpjeguar se kur e kuptoi se populizmi qenka problem dhe pse kjo zbulesë politike i erdhi vetëm pasi përfundoi në burg.
Por kulmi i komedisë vjen kur zdromsi Veliaj u drejtohet politikebëreshëve dhe u kërkon të kuptojnë se protestat studentore nuk janë fundi i botës, por fundi i një bote. Sa thellësi filozofike, sa vizion, sa largpamësi! Vetëm se ka një problem të vogël, për të cilin autori i këtij mesazhi revolucionar duket se nuk ka dhenë ende ndonjë shpjegim.
Çfarë politike po bën vetë Erion Veliaj prej gati dy vitesh në burg? Çfarë bote po përpiqet të ndryshojë, çfarë reformash po projekton dhe çfarë pergjigje të jep pritshmërive të qytetarëve, përveç se po u dërgon herë pas here mesazhe nga qelia, sikur të ishte një kryetar partie në ekzil dhe jo një ish-kryetar bashkie që ka ende shumë llogari politike e publike për të sqaruar? Dhe çfarë është më e rendësishme, a nuk e kupton që po kërkohet pikërisht fundi i asaj bote ku Zdromsi bën pjesë?
Njeriu që e mban veten për politikebëreshët, por nuk merret vesh se çfarë politike bën, kujt i flet dhe ku do të dalë me këto deklarata. Sot na shfaqet si mbrojtës i studentëve serbë, nesër ndoshta do të na shpjegojë se si rrëzohen qeveritë, ndërsa pasnesër mund të na japë ndonjë leksion për moralin në politikë. Me këtë ritëm, nga qelia do të na dalë edhe si themelues i një shkolle të re politike, ku leksionin e pare e mban ai që nuk e ka kuptuar ende se çfarë mesazhi po u dërgon shqiptarëve me vetë ekzistencën e tij politike.
Dhe kur zdromsi Veliaj thotë se ne, politikebëreshët, duhet të reagojmë ndaj kërkesave të kësaj gjenerate, të krijohet përshtypja se po ja bën vetes me sy, sikur po i thotë Ramës se e ka kuptuar më në fund gjuhën e protestave dhe se ka ardhur koha për një politikë tjetër, ku vetë Zdromsi endërron t’i duket njerëzve si një student protestues që nuk paguan dot as qirënë e shtëpisë. Nëse ky është një mesazh i tërthortë për ish-mentorin e tij, atëherë kemi të bëjmë me një spektakël të neveritshëm, nxënësi i burgosur që i shpjegon mësuesit në pushtet se si duhet të sillet me popullin, ndërsa t’i dy kanë kaluar vite duke ndarë të njëjtin skenë politike.
Por, Erion, meqë e paske kuptuar kaq mirë se çfarë kërkojnë qytetarët dhe meqë po u bën thirrje politikebëreshëve të reagojnë, po të japim një ide fare të thjeshtë, pa pasur nevojë të presësh frymëzimin nga Beogradi. Reago vetë. Jep dorëheqjen nga karrigia që mban me thonj dhe çdo pretendim për t’u rikthyer në politikë, hiq dorë nga ambicia për t’u paraqitur si alternativë dhe lëri qytetarët të marrin frymë pa pasur nevojë të dëgjojnë leksione prej teje për demokracinë, protestat dhe përgjegjësinë publike.
Zdroms, ka një dallim të madh mes një politikani që dëgjon qytetarët dhe një politikani që, pasi humbet pushtetin dhe përfundon në burg, zbulon për të vetëm një frymëzues të protestave studentore.