Macron paralajmëron për tensione në Francë: Nuk është normale që vendi të jetë në trazira para zgjedhjeve
Presidenti francez Emmanuel Macron ka shprehur shqetësimin për situatën e tensionuar në Francë, duke deklaruar se nuk është normale që vendi të jetë në trazira vetëm gjashtë muaj para zgjedhjeve presidenciale.

Presidenti francez Emmanuel Macron ka shprehur shqetësimin për situatën e tensionuar në Francë, duke deklaruar se nuk është normale që vendi të jetë në trazira vetëm gjashtë muaj para zgjedhjeve presidenciale. Gjatë një vizite në Marsejë, Macron bëri thirrje që skenat e dhunës dhe kaosit të 17 tetorit të mos përsëriten, ndërsa garantoi se autoritetet do të vijojnë të qëndrojnë të vendosura për ruajtjen e rendit publik.
Sipas raportimeve nga mediat e huaja, Macron vlerësoi angazhimin e forcave të rendit dhe tha se protestat e 24 tetorit ishin më të qeta nga sa pritej, duke theksuar se rendi publik, ashtu edhe e drejta për të protestuar u respektuan. Megjithatë, ai paralajmëroi se tubimet e planifikuara për të shtunën, më 31 tetor, mund të sjellin rreziqe të reja. Presidenti bëri të ditur se për momentin nuk e sheh të nevojshme shpalljen e gjendjes së jashtëzakonshme, e cila do të jepte autoriteteve kompetencë më të gjerë policore.
"Ne mbetemi të përulur dhe të përqendruar në të njëjtën kohë, e dimë se e shtunën e ardhshme është një tjetër e shtunë e rrezikshme. Por tani po shoh përpara, kështu që po ecim përpara," u shpreh ai.
Protestat shpërthyen mes pakënaqësive për fuqinë blerëse dhe mbrojtjen e shërbimeve publike, ndërsa nxënësit e shkollave të mesme vijojnë prej më shumë se një muaji të kërkojnë më shumë burime për arsimin. Macron pranoi se reagimi i qeverisë ndaj kërkesave të tyre nuk ka qenë në kohën e duhur, por theksoi se tashmë synimi është të ecet përpara dhe të gjendet një rrugëdalje nga kriza.