Shtetas shqiptar dënohet në Britani për transportin e 17 emigrantëve me jaht
Një shtetas shqiptar është shpallur fajtor në Britani për lehtësimin e emigracionit të paligjshëm, pasi tentoi të transportonte 17 persona nga Franca drejt Mbretërisë së Bashkuar me një jaht.

Sipas Agjencisë Kombëtare të Krimit në Britani, Eno Gajda u arrestua më 27 gusht nga oficerët e sigurisë kufitare në brigjet e Dorset, pasi mjeti lundrues me të cilin po udhëtonte u pikas dhe u ndalua. BBC shkruan se Gajda ishte nisur nga Dielette, në Francë, me destinacion zonën bregdetare pranë Portlandit. Pas ndërhyrjes së autoriteteve, jahti u shoqërua në portin Portland Marina, ku u zbritën 17 personat që ndodheshin në bord, mes tyre 16 shtetas shqiptarë. Çështja u hetua nga Agjencia Kombëtare e Krimit, ndërsa më 26 tetor Gajda u deklarua fajtor në Gjykatën e Kurorës në Bournemouth. Ai pritet të mësojë masën e dënimit më 18 nëntor, në të njëjten gjykatë.