Kryeministria deklaron se përgjegjësia për ndërhyrjet policore është e individuale
Kryeministria shqiptare ka deklaruar se përgjegjësia për ndërhyrjet policore gjatë protestave është e individuale, si për qytetarët që shkelin ligjin, ashtu edhe për punonjësit e policisë që tejkalojnë kompetencat e tyre. Kryeministria ka thënë se pretendimet për përgjegjësi individuale duhet të verifikohen nga organet e drejtësisë, pa ndërhyrje politike dhe pa paragjykim.

Kryeministria shqiptare ka deklaruar se përgjegjësia për ndërhyrjet policore gjatë protestave është e individuale, si për qytetarët që shkelin ligjin, ashtu edhe për punonjësit e policisë që tejkalojnë kompetencat e tyre.
" Përgjegjësia është individuale, si për qytetarin që shkel ligjin, ashtu edhe për punonjësin e Policisë që tejkallon kompetencat e tij", thuhet në përgjigjen e Kryeministrisë.
Deklarata nënvizon detyrimin për hetimin e abuzimeve të mundshme nga organet e drejtësisë.
"Sa u përket mbi 180 episodeve të pretenduara në kallëzim penal, ato duhet të shqyrtohen individualisht, mbi bazën e provave dhe nga organet kompetente të drejtësisë. Asnjë pretendim nuk mund të konsiderohet automatikisht fakt i provuar, por asnjë shkelje e mundshme nuk mund të justifikohet apo të mbetet pa u hetuar", thuhet në përgjigjen që Shteg.org mori nga Zyra e Shtypit e Kryeministrisë.
Dy ditë më parë, Qendra Republika, në emër të një grupi avokatësh, qytetarësh dhe organizatash, i kërkoi Prokurorisë së Poshtme të hetojë rastet e pretenduara të përdorimit të paligjshëm të forcave, ndalimeve arbitrare, keqtrajtimit, pengimit të punës së gazetarëve dhe mosidentifikimit të punonjësve të policisë.
Avokatët kërkuan gjithashtu që Prokuroria e Poshtme të verifikojë rolin e kryeministrit Edi Rama, ministrit të Brendshëm Ervin Demo dhe drejtuesve të Policisë së Shtetit.
Në përgjigjen për "Shteg.org", Kryeministria thotë se Rama ka zhvilluar komunikime dhe takime institucionale me ministrin e Brendshëm dhe drejtues të policisë për çështje që lidhen me sigurinë publike dhe mbrojtjen e qytetarëve gjatë protestave.
Megjithatë, institucioni bën dallimin mes komunikimit politik dhe përgjegjësisë për vendimet operative në terren.
"Kryeministri nuk ushtron komandim operacional mbi përdorimin e forcave. Çdo pretendim për përgjegjësi individuale, përfshirë ato ngritura në një kallëzim penal, duhet të verifikohet nga organet e drejtësisë, pa ndërhyrje politike dhe pa paragjykim", thuhet në përgjigje.
Sipas Kryeministrisë, vendimet për ndërhyrjet konkrete u takojnë strukturave përkatëse të policisë, në përputhje me ligjin.
" Megjithatë, drejtimi operacional i forcave policore, përfshirë vendimmarrjen mbi ndërhyrjet në terren, është përgjegjësi e strukturave përkatëse, sipas ligjit", sqaron Kryeministria.
Përgjigja, megjithatë, nuk sqaron nëse gjatë takimeve janë diskutuar posaçërisht ankesat për përdorim të tepërt të forcave apo nëse Zyra e Kryeministrit ka kërkuar raporte të vëçanta për secilin prej episodeve të denoncuara.
Duke iu përgjigjur pyetjeve për masat e marra pas incidenteve gjatë protestave, Kryeministria bëri të ditur se shtatë punonjës policie janë pezulluar nga detyra dhe se kanë nisur procedurat përkatëse.
Për një incident të datës 24 tetor, gjatë të cilit një qytetar pësoi dëmtim në sy, sipas përgjigjes, janë njoftuar hetime nga Policia e Shtetit, Agjencia e Mbikëqyrjes Policore (AMP) dhe Prokuroria.
Përgjigja nuk jep hollësi të mëtejshme mbi rezultatet e këtyre hetimeve.
Kryeministria deklaron se policia ka detyrimin të garantojë zhvillimin e protestave paqësore, jo të pengojë ato. Ndërhyrjet duhet të jenë të ligjshme, të nevojshme dhe proporcionale.
Institucioni thekson gjithashtu se gazetaret duhet të jenë në gjendje të kryejnë punën e tyre pa pengesa apo intimidim, ndërsa të miturit duhet të gëzojnë mbrojtjen e posaçme që parashikon ligji.
Pretendimet për shkelje të të drejtave të gazetarëve dhe të miturve, thuhet në përgjigje, duhet të shqyrtohen rast pas rasti dhe, nëse shkeljet provohen, të pasohen nga përgjegjësia administrative ose penale.