Arrestohen 4 shqiptarë në Spanjë për kultivim kanabisi dhe sekuestrohen 220 kg marijuanë
Katër shqiptarë janë arrestuar në Spanjë për kultivim kanabisi dhe sekuestrohen 220 kg marijuanë me vlerë 413 mijë euro.

Katër shqiptarë kanë përfunduar në prangat e policisë së Spanjës pasi akuzohen për kultivim kanabisi. Plantacioni i kanabisit u zbulua nga Garda Civile në një pyll në zonën e Hoya de Huesca-s. Sipas mediave spanjolle, operacioni është zhvilluar më 17 tetor. Shqiptarët janë të moshave 36-50 vjeç dhe banonin në Barcelonë. Bëhet e ditur se, agjentët konstatuan 72 bimë kanabis sativa që kishin lulëzuar, ndërsa në plantacion u gjetën edhe gjurmë që tregonin se më parë ishin korrur rreth 1.000 bimë. Gjithashtu, në afërsi u zbulua një ambient i madh për tharjen e marijuanës, një tendë kampingu ku qëndronin të arrestuarit dhe një tjetër me depozita për ujitje, plehra dhe fertilizues të tretshëm në ujë, të përdorur për të nxitur rritjen e bimëve. U gjetën gjithashtu pajisje për përpunimin, makineri për heqjen e kërcellit dhe degëzave, ventilatorë, një ngrohës industrial me ajër të nxehtë dhe një gjenerator për furnizimin me energji. Veç bimëve, u sekuestruan 220 kilogramë sytha marijuane, vlera e të cilave në treg arrin afërsisht 413.000 euro.