Trazirat në Bilbao pas anulimit të një eventi nga një influencues i ekstremit të djathtë
Trazirat në Bilbao, Spanjë, pas anulimit të një aktiviteti nga Vito Quiles, një aktivist i ekstremit të djathtë, rezultuan në incidente të rënda dhe përplasje me policinë. Rreth 20 persona u arrestuan, shumë prej tyre të mitur, dhe zjarrfikësit u angazhuan për të shuar vatra zjarri.

Trazirat filluan rreth orës 18:30 në zonën e Deustos, pranë universitetit me të njëjtin emër, ku gjatë ditës ishin zhvilluar protesta kundër vizitës së Quiles. Grupe personash me fytyra të mbuluara zhvendosën kazanët e mbeturinave për të bllokuar rrugët dhe u vunë flakën automjeteve të parkuara.
Një motoçikletë e Policisë Bashkiake të Bilbaos u përfshi gjithashtu nga flakët, pasi ishte përdorur si pengesë rrugore. Zjarre dhe akte vandalizmi u raportuan edhe në zona të tjera të qytetit, përfshirë hapësirat përreth kullës Iberdrola, në anën tjetër të lumit.
Sipas raportimeve, në disa raste dyqane u sulmuan dhe u plaçkitën. Forcat policore ndërhynë sërish në zonat e prekura, duke arrestuar persona dhe duke u përpjekur të shpërndanin turmat. Numri i arrestimeve u rrit gradualisht gjatë mbrëmjes, nga nëntë në orën 20:15, në 14 deri në orën 21:00, për të arritur më pas në rreth 20.
Menaxhimi i operacionit policor shkaktoi reagime, pasi një pjesë e forcave të dislokuara paraprakisht në qytet ishte tërhequr nga disa zona pak para shpërthimit të incidenteve më të rënda. Sindikata e policisë Erne e cilësoi situatën shqetësuese dhe kritikoi mungesën e informacionit në kohë për efektivët që u angazhuan në terren.
Ministria e Sigurisë e Vendit Bask deklaroi se grupet e përfshira në trazira ishin drejtuar drejt stacionit të policisë në Deusto, duke hedhur gurë dhe duke i vënë flakën një motoçiklete të policisë bashkiake. Autoritetet argumentuan se zhvillimet tregojnë se incidentet ishin të paramenduara dhe se synimi i personave të përfshirë ishte shkaktimi i trazirave.
Presidenti i qeverisë autonome të Vendit Bask, Imanol Pradales, dënoi ashpër dhunën dhe theksoi se qindra qytetarë kishin protestuar në mënyrë paqësore kundër vizitës së Quiles, ndërsa një grup personash të radikalizuar shkaktoi shkatërrime në qytet. Edhe kryetari i bashkisë së Bilbaos, Juan María Aburto, reagoi ashpër dhe i cilësoi pjesëmarrësit në aktet e dhunës si “fashistë”.