Studentët në Serbi nisin bisedimet për formimin e qeverisë pas fitores historike
Lëvizja studentore në Serbi po përgatitet të nisë bisedimet për formimin e qeverisë së re, pas fitores në zgjedhjet parlamentare të fundjavës. Megjithatë, mbetet e paqartë se kush do të drejtojë ekzekutivin e ri.

Lëvizja studentore në Serbi po përgatitet të nisë bisedimet për formimin e qeverisë së re, pas fitores në zgjedhjet parlamentare të fundjavës, që i dhanë fund dominimit 14-vjeçar të Partisë Progresiste Serbe të Aleksandar Vuçiçit. Megjithatë, mbetet e paqartë se kush do të drejtojë ekzekutivin e ri, pasi lista e studentëve funksionon mbi parimin e vendimmarrjes kolektive dhe nuk ka një lider të vetëm.
Sipas The Guardian, rezultatet paraprake të numërimit të votave i japin Listës së Studentëve 53% të votave dhe 141 nga 250 mandatet në parlamentin serb. Ndërkohë, Partia Progresiste Serbe (SNS) e Vuçiçit ka siguruar rreth 39% të votave dhe 103 vende në Kuvend.
Fitorja vjen pas afro dy vitesh protestash kundër qeverisë, të cilat nisën pas shembjes së tendës së stacionit hekurudhor në Novi Sad, në nëntor 2024, ku humbën jetën 16 persona. Ngjarja nxiti pakënaqësi të gjerë publike dhe protesta kundër korrupsionit dhe përgjegjësisë së institucioneve.
Pavarësisht rezultatit zgjedhor, lëvizja përballet me sfidën e kalimit nga një mobilizim qytetar në drejtimin e institucioneve shtetërore. Lista përfshin akademikë, mjekë, aktorë dhe profesionistë të fushave të ndryshme, shumë prej të cilëve nuk kanë përvojë të mëparshme në qeverisje.
Mes emrave të përmendur është ish-guvernatori i Bankës Qendrore të Serbisë, Dejan Šoškić, i cili shihet si një nga kandidatët e mundshëm për postin e kryeministrit. Megjithatë, deri tani nuk ka një vendim përfundimtar mbi emrin që do të drejtojë qeverinë e re.
Përfaqësuesit e lëvizjes kanë theksuar se vendimet do të merren përmes konsultimeve të gjera dhe jo nga një grup i vogël drejtuesish. Kjo mënyrë organizimi, që ka qenë një nga karakteristikat kryesore të protestave, mund ta bëjë më të ndërlikuar procesin e përzgjedhjes së kryeministrit dhe ministrave.
Lufta kundër korrupsionit, prioritet i qeverisë së re
Programi i Listës së Studentëve përqendrohet te lufta kundër korrupsionit, rikthimi i shtetit të së drejtës dhe forcimi i pavarësisë së institucioneve. Lëvizja synon gjithashtu depolitizimin e sistemit gjyqësor, reformimin e policisë, hapjen e mediave ndaj më shumë pluralizmi dhe rritjen e transparencës mbi kontratat publike dhe financat shtetërore.
Një tjetër objektiv i shpallur është kufizimi i emërimeve politike në ndërmarrjet shtetërore dhe krijimi i mekanizmave më të pavarur për mbikëqyrjen e shpenzimeve publike.
Megjithatë, zbatimi i këtyre reformave pritet të përballet me vështirësi, pasi institucionet shtetërore janë të mbushura me zyrtarë të emëruar gjatë qeverisjes së deritanishme. Ndryshimi i drejtimit politik nuk nënkupton automatikisht ndryshimin e strukturave dhe praktikave institucionale.
Afati kushtetuese për formimin e qeverisë
Sipas procedurave kushtetuese, parlamenti i ri duhet të mblidhet brenda 30 ditëve nga shpallja zyrtare e rezultateve zgjedhore. Pas kësaj, nis afati 90-ditor për formimin e qeverisë.
Fitorja me shumicë parlamentare i jep Listës së Studentëve mundësinë të formojë qeverinë pa pasur domosdoshmërisht nevojë për aleatë të tjerë, nëse rezultatet përfundimtare konfirmojnë shpërndarjen e mandateve.
Ndërkohë, Serbia pritet të zhvillojë edhe zgjedhje presidenciale deri më 27 dhjetor, pasi Vuçiç është larguar nga posti i presidentit për t’u përfshirë në garën parlamentare.
Pas më shumë se një dekade në pushtet, ndryshimi politik në Serbi hap një fazë të re, ndërsa vëmendja tashmë përqendrohet te mënyra se si lëvizja studentore do të organizojë qeverisjen dhe do të përmbushë premtimet e saj për reforma.