Ulet barra tatimore për pagat mbi 200 mijë lekë, pragu i tatimit rritet në 300-700 mijë lekë
Individët që kanë pagë mbi 200 mijë lekë pritet të lehtësohen nga barra e tatimit prej 23%, ndërsa pragu i tatimit rritet në 300-700 mijë lekë.

Paketi fiskal i ri parashikohet të rritë pragu të tatimit mbi 300 mijë lekë në muaj. Tatimi 23% tashmë do të zbatohet mbi pagat bruto mbi 300 mijë lekë deri në 700 mijë lekë. Për pagat bruto mbi 700 mijë lekë vendoset një normë e re e lartë tatimi prej 32%. Këto parashikohen në paketin e ri fiskal në ligjin nr. 29, datë 30.03.2023, “Për tatimin mbi të ardhurat”. Sipas relacionit të financave, ndryshimet e propozuara synojnë përshtatjen e strukturës progresive të tatimit mbi të ardhurat nga punësimi. Ato parashikojnë rishikimin e formullës dhe shkallës progresive të tatimit mbi të ardhurat personale (TAP) nga punësimi (neni 24, pikë 1), ku parashikohet lehtësimi i bares tatimore për shtresën e mesme dhe profesionistët e kualifikuar përmes rritjes së pragut të fashes së pare tatimore (që tatohet me normën 13%) nga paga bruto 200 000 lekë/muaj në 300 000 lekë/muaj (baza tatimore vjetore nga 2 040 000 lekë në vit në 3 240 000 lekë në vit pasi është aplikuar zbritja tatimore në bazë të nenit 22 në një shumë prej 360 000 lekë në vit).