Ben Blushi botoi romanin "Historitë e Çmendura të Tiranës", një vepër që rrëfen 400 vite të Tiranës
Shkrimtari Ben Blushi botoi romanin "Historitë e Çmendura të Tiranës", një vepër që rrëfen 400 vite të Tiranës, nga viti 1600 deri në vitin 2000.

Shkrimtari Ben Blushi ka njoftuar botimin e romanit të tij më të ri, “Historitë e Çmendura të Tiranës”, një vepër që rrëfen 400 vite histori të kryeqytetit shqiptar, nga viti 1600 deri në vitin 2000. Përmes një postimi në rrjetet sociale, Blushi shprehet se libri është shkruar nga keqardhja për qytetin ku ka lindur, duke e lidhur historinë e trazuar të Tiranës me situatën që ajo po përjeton aktualisht. “Historitë e Çmendura të Tiranës është romani im i ri që sot shkoi në shtypshkronjën Onufri. Ky roman u shkrua nga keqardhja për qytetin ku kam lindur. Për Tiranën ka më pak libra se për cdo kryeqytet tjeter evropian. Historitë e Çmendura të Tiranës tregon luftërat, pushtimet, ndërtimet dhe intrigat që i bënë njeri-tjetrit qindra pashallarë, bejlerë, aventurierë, ushtarakë, shkrimtarë, poetë, mbretër dhe perandorë për të kontrolluar qytetin nga viti 1600 deri në vitin 2000. Kushdo që do lexojë këtë histori të shtrirë në 400 vjet do kuptojë se Tirana është djegur disa herë sic po ndodh dhe sot dhe gjithmonë është ringritur më e bukur dhe më vitale. Është një koincidencë fatale, aspak e planifikuar që libri botohet pikërisht këto ditë kur qyteti po vuan. Duke nisur nga data 3 nëntor Historitë e Çmendura të Tiranës do jetë në çdo librari.