Shtyhet seanca për Veliajn, avokatët e ndihmës juridike falas bojkotojnë mbrojtjen
Seanca e gjyqësore për kryebashkiakun e Tiranës, Erion Veliaj, është shtyrë pasi avokatët e ndihmës juridike falas kanë refuzuar të marrin përsipër mbrojtjen e tij.

Seanca e radhës për Veliaj është caktuar më 3 nëntor, në orën 10:30. Në seancën e mëparshme, gjykata kishte caktuar avokatë nga skema e ndihmës juridike falas për të garantuar mbrojtjen ligjore të Veliajt. Megjithatë, ata kanë refuzuar përfaqësimin e të akuzuarve, duke iu bashkuar bojkotit të avokatëve. Dhoma e Avokatisë po proteston që prej 8 shtatorit, duke bojkotuar proceset gjyqësore në Gjykatën e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar. Shkak për këtë qëndrim është bërë rregullorja e GJKKO-së, për të cilën avokatët pretendojnë se cenon ushtrimin e profesionit të tyre dhe të drejtat e mbrojtjes. Kryebashkiaku i Tiranës kishte dërguar një shkresë, ku kërkonte që të mbrohej veç nga avokati i tij, Plarent Ndreca dhe asnjë tjetër. Nga ana tjetër, avokatët falas qe i caktoi Gjykata e Posaçme nuk ishin paraqitur po përmes shkresave bëjnë me dije se janë në bojkot ndaj GJKKO-së, e cila nuk aplikoi gjoba.