Gjenden armë në shtëpinë e autorit të vrasjes së Arlinda Zekajt
Policia e Kosovës ka gjetur armë dhe municione në shtëpinë e Albert Sylajt, i cili dyshohet për vrasjen e Arlinda Zekajt.

Policia e Kosovës ka gjetur armë dhe municione në shtëpinë e Albert Sylajt, i cili dyshohet për vrasjen e Arlinda Zekajt. Sipas raportit 24-orësh të Policisë, kontrolli në shtëpinë e tij u krye dielën mbrëma, më 25 tetor. Gjatë kontrollit, policia gjeti një pushkë gjuetie, 153 fishekë, disa karikatorë, disa pajisje të armëve, tri thika, një bajonetë, 115 gëzhoja dhe një sepate.
Rasti është duke u hetuar, thuhet në njoftimin e Policisë së Kosovës. Albert Sylaj dyshohet se mbrëma vrau me sepate ish-kunatën e tij, Arlinda Zekajn, vetëm pak minuta pasi ajo kishte kthyer nga stacioni policor. I dyshuari vazhdon të jetë në kërkim nga autoritetet e Kosovës, të cilat kanë kërkuar bashkëpunimin e qytetarëve për çdo informacion që mund të ndihmojë në lokalizimin dhe arrestimin e tij.
Ndërkohë, Prokuroria e Pejës ka kërkuar paraburgim për Jeton Sylajn, ish-bashkëshortin e viktimës, nën dyshimin se ka kryer veprimin penal "Mospërfillja e gjykatës". Sipas kërkesës së Prokurorisë, më 25 tetor 2026, rreth orës 17:58, në rrugën "Mon Dedushaj", në fshatin Vitomiricë të Komunës së Pejës, i pandehuri dyshohet se nuk u bindur urdhrit të Gjykatës Themelore në Pejë, të nxjerrë më 16 tetor 2026. Vendimi i gjykatës e ndalonte atë të ushtronte dhunë fizike apo psikike ndaj viktimës, t'i pengonte lëvizjen, si dhe ta ofendonte, shqetësonte apo kërcente. Megjithatë, sipas Prokurorisë, Jeton Sylaj dyshohet se ka ushtruar sërish dhunë psikologjike ndaj bashkëshortes së tij, tashmë të ndjerë A.Z., duke iu drejtuar me fjalë kërcente. Po ashtu, ai dyshohet se ka marrë rrobat që viktima kishte vendosur në rrobalarëse dhe i ka hedhur në oborrin e shtëpisë. Seanca për shqyrtimin e kërkesës për caktimin e masës së paraburgimit ndaj Jeton Sylajt pritet të mbahet gjatë ditën e sotme në Gjykatën Themelore në Pejë.