Studentja e Mjekësisë: Protesta për kushte më të mira, jo premtime
Studentja e Mjekësisë deklaroi se protesta nuk përfaqëson vetëm shqetësimet e studentëve të Mjekësisë, por ngre probleme që prekin të gjithë rininë në arsimin e lartë.

Një studente e Mjekësisë, pjesëmarrëse në protestën përpara Ministrisë së Arsimit, ka ngritur shqetësimin për kushtet në të cilat zhvillohet procesi mësimor dhe për sfidat me të cilat përballen të rinjtë që kanë zgjedhur të ndjekin profesionin e mjekut.
Studentja deklaroi se studentët kërkojnë godinë dhe sallë më të përshtatshme, ndërsa theksoi se shqetësimet e tyre nuk kanë marrë përgjigjen e duhur.
“Ne protestojmë për kushte më të mira, për godinë më të mira, për sallë më të mira. Shëndetësia në Shqipëri ka probleme masive. Jemi këtu në protestë që zëri ynë të degjohet. Nuk janë plotësuar të gjitha kushtet, kemi rënë në vesh të shurdhër”, u shpreh studentja.
Ajo theksoi se protesta nuk përfaqëson vetëm shqetësimet e studentëve të Mjekësisë, por ngre probleme që, sipas saj, prekin të gjithë rininë në arsimin e lartë. Për këtë arsye, u bëri thirrje edhe studentëve të fakulteteve të tjera që t’i bashkohen protestës.
“Nuk është vetëm kauza jonë. Ne kemi dalë këtu për një çështje që na prek të gjithëve, ndaj duam përkrahjen e të gjithëve. Duhet të jemi sa më shumë. Bëjmë thirrje edhe për fakultetet e tjera që t’na bashkohen”, tha studentja.
Mes shqetësimeve për kushtet e studimit, studentja ndau edhe arsyen personale që e ka shtyrë të protestojë. Ajo tregoi se e ka zgjedhur Mjekësinë me bindjen se do të punojë dhe do të kontribuojë në Shqipëri, por vështirësitë aktuale e bëjnë të pasigurt për të ardhmen e saj profesionale.
“Kam qenë me një bindje që do të punoj në vendin tim, do të kontribuoj në vendin tim. Mjekësia është një mision, ke shumë për të mësuar nga ky profesion. Por me gjithë këto kufizime dhe kushtet e pakta, ndaj jam këtu për kushte më të mira, që të mos largohem pas 6 vitesh”, tha studentja për “News 24”.
Përmes kësaj proteste, studentja kërkon përmirësimin e kushteve të studimit, me shpresën që pas përfundimit të gjashtë vitesh të Mjekësisë të mundësinë të ndërtojë të ardhmen profesionale në Shqipëri, pa u ndier e detyruar të largohet jashtë vendit.