Katër skenarët pas zgjedhjeve në Izrael: mund të mbajë pushtetin pa shumicën
Zgjedhjet në Izrael mund të çojnë në një shumicë parlamentare kundër Benjamin Netanyahut, por ai mund të mbajë pushtetin pa siguruar 61 mandatet e nevojshme për një koalicion të ri.

Zgjedhjet e 27 tetorit në Izrael mund të prodhojnë një shumicë parlamentare kundër Benjamin Netanyahut, por jo domosdoshmërisht një qeveri pa të. Përçarjet mes partive opozitare, roli vendimtar i përfaqësuesve arabë dhe mundësia e zgjedhjeve të përsëritura krijojnë një situatë ku kryeministri aktual mund të vazhdojë të qeverisë edhe pa siguruar 61 mandatet e nevojshme për një koalicion të ri.
Izraeli voton për të zgjedhur parlamentin e 26-të, në një proces që mund të ndryshojë drejtimin politik të vendit pas viteve të qeverisjes së Benjamin Netanyahut. Por, ndryshe nga sa mund të duket në një përballeje klasike elektorale, rezultati i kutive të votimit nuk do të përcaktojë automatikisht se kush do të jetë kryeministri i ardhshëm.
Problemi nuk është vetëm sa mandate do të marrë partia Likud e Netanyahut apo Yashar e Gadi Eisenkotit, ish-shefit të Shtabit të Përgjithshëm të ushtrisë izraelite. Çështja është nëse partitë që kundërshtojnë Netanyahun mund të arrijnë një marrëveshje për të qeverisur së bashku.
Sondazhet e fundit tregojnë një parlament të ndarë. Sipas përbërjes së 9 sondazheve, blloku i Netanyahut kishte mesatarisht 52.4 mandate, ndërsa partitë opozitare hebraike 49.6. Partitë arabe projektoheshin me rreth 14 mandate, ndërsa katër mandate u përkatuan forcave që nuk kishin percaktuar rreshtimin. Këto shifra nuk janë rezultate zgjedhore, por tregojnë aritmetikën politike mbi të cilën do të zhvillohen negociatat.
Në këtë situatë ekzistojnë katër skenarë kryesorë.
Skenari i parë: Eisenkoti krijon qeverinë, por duhet të bëjë negociatat me partitë arabe
Nëse partitë kundërshtare të Netanyahut sigurojnë së bashku me shumë se 61 mandate, presidenti Isaac Herzog mund t'i japë Gadi Eisenkotit mandatin për të formuar qeverinë.
Megjithatë, shumica numerike nuk do të mjaftonte për të garantuar një marrëveshje politike. Eisenkoti duhet të bashkojë Naftali Bennettin, Avigdor Libermanin dhe Yair Golanin, drejtues të forcave që kanë dallime të rendësishme mbi politikën e sigurisë, marrëdhëniet me palestinezët dhe pjesëmarrjen e partive arabe në qeverisje.
Pikërisht këtu shfaqet kontradikta e opozitës izraelite. Ajo mund të fitojë shumicën e mandateve kundër Netanyahut, por një pjesë e drejtuesve të saj nuk pranojnë të mbështeten e partive arabe për të formuar qeverinë.
Avigdor Liberman e ka kundërshtuar një formulë të tillë, ndërsa Mansour Abbas, drejtuesi i partisë arabe Ra'am, ka përvojën e pjesëmarrjes në koalicionin Bennett-Lapid të vitit 2021.
Një marrëveshje me Ra'am dhe mbështetja parlamentare e Joint List mund të krijonin Eisenkotit mundësinë të marrë drejtimin e qeverisë. Por një koalicion i tillë do të përballej që në fillim me mosmarrëveshje për çështjet e sigurisë, politikën ndaj Gazës dhe raportet mes shtetit dhe komuniteteve fetare.
Precedenti i vitit 2021 ka rëndësi. Atëherë Naftali Bennett dhe Yair Lapid formuan një koalicion heterogjen, i cili i dha fund qeverisjes së Netanyahut, por u shpërbeu pas pak më shumë se një viti.
Pra, edhe nëse Eisenkoti arrin të bëhet kryeministër, pyetja e ardhshme do të jetë nëse ai mund ta mbajë shumicën parlamentare gjatë gjithë mandatit.
Skenari i dytë: Një qeveri pakice që mbijeton me votat e jashtme
Ky është një variant tjetër që lejon sistemi parlamentar izraelit.
Ndryshe nga perceptimi se çdo qeveri duhet të ketë domosdoshmërisht 61 deputetë në koalicion, ligji izraelit lejon krijimin e një qeverie pakice, nëse ajo merr më shumë vota pro sesa kundër në votëbesimin parlamentar.
Në këtë rast, Eisenkoti mund të formojë një kabinet me partitë opozitare hebraike dhe të kërkojë mbështetjen e përfaqësuesve arabë pa i përfshirë ata në qeveri.
Kjo formulë ka një precedent historik. Në vitin 1993, pas largimit të Shas nga koalicioni, Yitzhak Rabin vazhdoi të qeveriste me 56 deputetë, duke u mbështetur te votat e partive arabe.
Por një marrëveshje e tillë do të krijonte varësi të vazhdueshme parlamentare. Çdo projektligj i rëndësishëm, sidomos buxheti dhe vendimet për sigurinë kombëtare, do të kërkonte negociata me forca që nuk janë pjesë e kabinetit.
Netanyahu mund të mbajë pushtetin pa shumicën parlamentare, por kjo do të kërkojë një qeveri pakice dhe negociata të vazhdueshme me partitë opozitare dhe përfaqësuesit arabë.