Papa Leoni XIV: Lufta nuk mund të bëhet në emër të Zotit
Papa Leoni XIV ka bërë thirrje për paqe dhe dialog mes popujve, duke theksuar se lufta nuk mund të bëhet në emër të Zotit.

Papa Leoni XIV ka bërë thirrje për paqe dhe dialog mes popujve, duke theksuar se lufta nuk mund të bëhet në emër të Zotit. Ai u drejtoi pjesëmarrësve të takimit ndërkombëtar "Paqe e paarmatosur dhe çarmatosëse", që po mbahet në Asizi të Italisë, duke u shprehur se bota ka nevojë të rindërtojë paqen kudo në vend që të përgatitet për luftëra të reja.
"Duhet ta rindërtojmë paqen kudo, jo të përgatisim luftëra të tjera! Lufta nuk mund të bëhet kurrë në emër të Zotit! Për ne besimtarët, të luftosh në emër të fesë do të thotë, në të vërtetë, të godasësh vetë fenë", deklaroi Papa.
Papa theksoi se nuk ekziston një luftë e shenjtë, duke nënvizuar se paqja është e vetmja gjë që meriton të quhet e shenjtë.
"Nuk ka asnjë luftë të shenjtë: vetëm paqja është e shenjtë!", u shpreh Papa Leoni XIV.
Në mesazhin e tij, Ati i Shenjtë theksoi gjithashtu rëndësinë e promovimit të frymës së Asizit, veçanërisht në një kohë kur, sipas tij, mbizotëron kultura e fuqisë.
"Pikërisht në këto kohë të kulturës së fuqisë, kemi nevojë të zhvillojmë frymën e Asizit, e cila nënkupton refuzimin e justifikimit fetar të luftës, si dhe frymën e ndërmjetësimit dhe dialogut", pohoi ai.
Papa u bëri thirrje besimtarëve dhe komuniteteve fetare që të mos e përdorin fenë për të legjitimuar konfliktet, por ta shohin atë si një mundësi për të ndërtuar ura komunikimi, për të nxitur pajtimin dhe për të promovuar bashkëjetësinë paqësore mes popujve.