Lavrov paralajmëron përshkallëzim të luftës në Ukrainë: Nuk ka përparim në negociata
Ministri i Jashtëm rus, Sergei Lavrov, ka paralajmëruar se lufta në Ukrainë do të vazhdojë dhe se situata mund të përshkallëzohet më tej, ndërsa përpjekjet diplomatike për të dhënë fund konfliktit nuk kanë sjellë ende një marrëveshje.

Ministri i Jashtëm rus, Sergei Lavrov, ka paralajmëruar se lufta në Ukrainë do të vazhdojë dhe se situata mund të përshkallëzohet më tej, ndërsa përpjekjet diplomatike për të dhënë fund konfliktit nuk kanë sjellë ende një marrëveshje. Lavrov deklaroi se nuk ka zhvillime të reja në negociatat për Ukrainën dhe se palët nuk kanë paraqitur propozime që mund të ndryshojnë situatën aktuale.
Lavrov komentoi edhe bisedën telefonike që presidenti Vladimir Putin zhvilloi me presidentin finlandez Alexander Stubb dhe kryeministrin norvegjez Jonas Gahr Støre. Sipas Lavrovit, gjatë këtij komunikimi nuk u paraqit asnjë propozim i ri për zgjidhjen e konfliktit. Ai shtoi gjithashtu se vendet evropiane po përpiqen të sigurojnë një rol në negociatat për përfundimin e luftës.
Biseda telefonike mes Putinit dhe dy udhëheqësve nordikë u zhvillua në kuadrën e përpjekjeve diplomatike për rifillimin e negociatave mes Moskës dhe Kievit. Finlanda dhe Norvegjia kërkonin uljen e tensioneve dhe theksuan nevojën për bisedime drejtpërdrejtë.
Presidenti finlandez Alexander Stubb deklaroi se përfundimi i luftës do të ndikojë drejtpërdrejt në sigurinë e vendeve fqinje me Rusinë dhe të gjithë Evropës. Ndërsa kryeministri norvegjez Jonas Gahr Støre theksoi rëndësinë e shmangies së përshkallëzimit të mëtejshëm të konfliktit.
Dy udhëheqësit konfirmuan gjithashtu se vendet e tyre do të vazhdojnë mbështetjen për Ukrainën. Kontaktet diplomatike zhvillohen përpara një raundi të ri bisedimesh mes Rusisë, Ukrainës dhe Shteteve të Bashkuara, që pritet të mbahet në Abu Dhabi gjatë gjysmës së parë të nëntorit.
Megjithatë, qëndrimet e Moskës dhe Kievit mbeten të ndryshme për kushtet e përfundimit të luftës. Rusia kërkon që një marrëveshje e mundshme të marrë parasysh interesat e saj të sigurisë, ndërsa Ukraina këmbëngul në respektimin e sovranitetit dhe integritetit të saj territorial.
Lufta në Ukrainë vazhdon që prej nisjes së pushtimit rus në shkallë të gjerë, më 24 shkurt të vitit 2022, ndërsa përpjekjet ndërkombëtare për një zgjidhje diplomatike nuk kanë arritur ende t'i japin fund konfliktit.