Gjykata e Lartë hap rrugën për verifikimin penal të kallëzimit të Veliajtit
Gjykata e Lartë ka vendosur që Gjykata e Tiranës të shqyrtojë ankimin e Veliajtit për mosfillimin e hetimeve për kallëzimin e tij, duke i dhënë fund përpleshasjes së kompetencave mes GJKKO-së dhe Gjykatës së Tiranës.

Gjykata e Lartë ka zgjidhur mosmarrëveshjen e kompetencave mes Gjykatës së Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar dhe Gjykatës së Tiranës për çështjen e kallëzimit të Erion Veliajtit, që lidhet me identitetin e personit të njohur si "Nesti Angoni".
Kolegji Penal ka vendosur se kompetente për shqyrtimin e ankimit të Veliajtit është Gjykata e Tiranës, duke i dhënë fund pingpongut gjyqësor për këtë çështje.
Çështja e "Nesti Angonit" është kthyer në një nga debatet që shoqërojnë procesin penal ndaj Veliajtit. Mbrojtja e Veliajtit ka vënë në dyshim identitetin e kallëzuesit dhe mënyrën e administrimit të informacionit fillestar, ndërsa ekzistenca e një emri që nuk rezulton në regjistrat civile nuk provon, në vetvete, pavlefshmërinë e hetimeve të SPAK.
Ky zhvillim vjen ndërkohë që procesi kryesor ndaj Veliajtit në GJKKO vijon të përballet me shtyrje. Seanca e 27 tetorit u shty për më 3 nëntor për shkak të mungesës së avokatëve, ndërsa Veliajti ka kërkuar që të përfaqësohet vetëm nga Plarent Ndreca, duke kundërshtuar caktimin e mbrojtësve të tjerë.
Tashmë, krahas procesit në Gjykatën e Posaçme, një tjetër betejë gjyqësore pritet të zhvillohet në Gjykatën e Tiranës, ku do të shqyrtohet ankimi që synon të hapë rrugën për verifikimin penal të kallëzimit të bërë në emër të "Nesti Angonit".