Gjykata e Lartë ia kalon çështjen Gjykatës së Tiranës për kallëzimin e Veliajt për "Nesti Angonin"
Gjykata e Lartë ka zgjidhur çështjen e kompetencës për kallëzimin e Erion Veliajt lidhur me identifikimin e personit që përdor emrin "Nesti Angoni".

Gjykata e Lartë ka zgjidhur çështjen e kompetencës për kallëzimin e Erion Veliajt lidhur me identifikimin e personit që përdor emrin “Nesti Angoni”, kallëzimi i të cilit çoi kryebashkiakun pas hekurave. Sipas Gjykatës së Lartë, çështja duhet të shqyrtohet nga Gjykata e Tiranës. Veliaj kallëzoi në Prokurorinë e Tiranës “Nesti Angonin” për falsifikim dokumentesh. Mbrojtja pretendoi se kallëzimi u depozitua pikërisht në këtë prokurori, pasi nuk dihet nëse personi që fshihet pas këtij emri përbën apo jo subjekt të posaçëm. Prokuroria e Tiranës vendosi mosfillimin e procedimit. Mbrojtja pretendoi se vendimi u mor pas tre muajsh, në vend të afatit prej 15 ditësh që parashikon ligji, dhe paraqiti ankim në Gjykatën e Tiranës. Nga ana tjetër, prokuroria deklaroi se kishte kryer hetime, por nuk kishte arritur të identifikonte personin anonim. Gjykata e Tiranës nuk u shpreh për themelin e çështjes dhe ia kaloi atë Gjykatës së Posaçme. Kjo e fundit, në Dhomë Këshillimi, vendosi t’ia dërgojë çështjen Gjykatës së Lartë për zgjidhjen e konfliktit të kompetencës.