Lali Zdromsi gjen fitoren te Nesti Angoni, por realiteti është tjetër
Lali Zdromsi ka fituar një çështje, por çështja e Nesti Angonit vazhdon të jetë aty ku duhet të shqyrtohet ankimi ndaj mosfillimit të vendosur nga prokurori.

Historia e kësaj çështjeje është e thjeshtë. Prokuroria e Tiranës vendosi mosfillimin e procedimit penal, Zdromsi e ankimoi vendimin, Gjykata e Tiranës shpalli moskompetencë, GJKKO-ja ngriti mosmarrëveshjen e kompetencës, duke thënë se as ajo nuk ishte kompetente, ndërsa Gjykata e Lartë vendosi që ankimi të shqyrtohet nga Gjykata e Tiranës. Kjo është historia e çështjes, por Zdromsi e shet sikur sapo ka fituar një betejë vendimtare me drejtësinë.
Tani le ta marrim edhe skenarin më të favorshëm për të, atë që duket se e ka kthyer në arsye për të festuar. Gjykata shqyrton ankimin dhe në fund prokuroria ose gjykata arrin në përfundimin se Nesti Angoni nuk ekziston si person i identifikueshëm. Po pastaj? Çfarë ndryshon? Asgjë. Këto që po përpiket të bëjë çështje të madhe, se Nesti Angoni është anonim, e ka thënë vetë Prokuroria e Posaçme që në fillim të hetimeve. Pra, Zdromsi po feston për një “muhabet” që është ngritur prej kohësh, sikur të ketë zbuluar Amerikan, ndërkohë që as ka zbuluar ndonjë gjë të re, as ka fituar ndonjë gjë që t’i vlejë në procesin penal.
Pikërisht këtu qëndron absurdi i gjithë kësaj shfaqjeje. Çështja e Nesti Angonit nuk ka asnjë peshë mbi provat e dosjes penale të zdromsit, nuk rrëzon asnjë prej tyre dhe nuk i jep asnjë pergjigje akuzave që ai ka përballë. Është një çështje me vetë, e ngritur prej tij, të cilën ai po përpiket ta fryjë në publik sikur të ishte nyja ku varet fati i gjithë procesit. Edhe sikur të marrë vendimin që pretendon, çështja ndaj tij vazhdon, provat vazhdojnë të jenë aty dhe burgu vazhdon të jetë vendi ku ai ndodhet. Publiku e kupton që nuk ka asnjë lidhje mes një ankimi për mosfillimin e një procedimi penal dhe ndonjë fitore në procesin për të cilin është në paraburgim. Zero lidhje, zero efekt, zero ndryshim.
Zdromsi në vend që të merret me hallin e madh që ka paraqitur dhe të kuptojë se procesi i tij penal nuk ka mbaruar, merret me një çështje kot në kuptimin e plotë të fjalës dhe e trumbeton si triumf. Kjo është si të festosh se të kanë lejuar të hysh në një zyrë për të dorëzuar një kërkesë, duke u sjellë sikur të kanë dhënë vendimin që kërkoje. Gjykata e Lartë nuk e shpalli t’ia pafajshëm, nuk rrëzon akuzat, nuk i hoqi masën e sigurimit dhe nuk i dha asgjë që ta afronte qoftë edhe një hap me daljen nga burgu. Thjesht përcaktoi se cila gjykata do të shqyrtojë ankimin e tij. Pjesa tjetër është spektakël për konsum publik.
Por Zdromsi ka nevojë ta shesë si fitore, sepse kur je në burg dhe procesi penal vazhdon, edhe një zhvillim procedural mund të të duket si rast për të ngritur flamurin.
Problemi është se flamuri ngrihet mbi një çështje që nuk i ndryshon asgjë. Nëse ky është standardi i zdromsit për fitoret, atëherë çdo shkresë që lëviz nga një institucion tjetër mund të shpallet si triumf historik.