Fenerbahçe largon trajnerin pas humbjes në derbi
Trajneri i Fenerbahçe-s, İsmail Kartal, ka dhënë dorëheqjen nga detyra pas humbjes në derbin ndaj Galatasaray.

Humbja në derbin ndaj Galatasaray ka sjellë një zhvillim të rëndësishëm te Fenerbahçe. Trajneri İsmail Kartal ka dhënë dorëheqjen nga detyra, vendim që është konfirmuar zyrtarisht nga klubi turk.
Sipas komunikatës së publikuar nga Fenerbahçe, Kartal ka njoftuar drejtuesit për vendimin e tij për t’u larguar. Pas diskutimeve mes palëve, dorëheqja është pranuar me mirëkuptim dhe respekt të ndërsjellë. Klubi nga Stambolli e ka falënderuar teknikun për përkushtimin dhe punën e bërë gjatë periudhës së tij në krye të skuadrës, duke i uruar suksese në vazhdim të karrierës.
“E falënderojmë İsmail Kartalin për përpjekjet, përkushtimin dhe angazhimin e tij ndaj Fenerbahçes. I urojmë suksese në karrierën e tij të ardhshme”, thuhet në njoftimin zyrtar. Deri më tani, klubi nuk ka bërë të ditura arsyet e plota të largimit dhe as emrin e trajnerit që do të marrë drejtimin e skuadrës.
Ky zhvillim vjen pas humbjes 2-1 në derbin ndaj Galatasaray, një rezultat që e ka goditur Fenerbahçen në garën për kreun e kampionatit. Tashmë, vëmendja përqendrohet te vendimi i radhës i drejtuesve dhe te emri që do të marrë përsipër detyrën në një moment delikat të sezonit.