Arrestohet Albert Sylaj, autori i vrasjes së Arlinda Zekajt
Pas tre ditësh në arrati, Albert Sylaj, autori i dyshuar i vrasjes së Arlinda Zekajt, është arrestuar nga Policia e Kosovës në zonën e Deçanit.

Pas tri ditësh në arrati, Albert Sylaj, autori i dyshuar i vrasjes së Arlinda Zekajt, është arrestuar nga Policia e Kosovës në zonën e Deçanit. Sylaj u kap rreth orës 23:40, pas një aksioni policor në të cilin morën pjesë njësi të shumta të Policisë së Kosovës, përfshirë njësinë special FIT. I dyshuari ishte lokalizuar në zonën malore të Becit të Gjakovës, ku dyshohet se ishte fshehur gjatë ditëve të arratisjes.
Ngjarja e renditë ka ndodhur më 25 tetor, kur Arlinda Zekaj dyshohet se u vra me sëpatë nga ish-kunati i saj, pak minuta pasi ishte kthyer nga stacioni policor. Pas vrasjes së saj, Sylaj ishte larguar menjëherë nga vendngjarja.
Sipas raportimeve, i dyshuari kishte komunikuar me policinë përmes mesazheve, duke deklaruar se nuk do të dorëzohej i gjallë. Megjithatë, pasi u lokalizua në zonën malore të Becit, ai raportohet se kishte shprehur gatishmëri për të dorëzuar, me kusht që fillimisht të bisedonte me familjarët. Ai kishte kërkuar dhjetë minuta kohë për të folur me ta.
“ Vetëm 10 minuta të flas me familjen”, raportohet të ketë thënë Sylaj.
Sipas informacioneve të publikuara, para se të përfundonte në zonën malore, ai kishte shkuar në Gjakovë për të marrë automjetin e motrës së tij, me qëllim që të vazhdonte arratinë. Por, pas kundërshtimit të motrës dhe bashkëshortit të saj, dyshohet se ishte larguar drejt maleve të Becit.
Policia e Kosovës ka konfirmuar arrestimin, duke bërë të ditur se kapja e tij u bë pas veprimeve operative dhe hetimore, si dhe bashkëpunimit me qytetarët.