Bursat dhe punësimi mund të ndikojnë në uljen e emigracionit të të rinjve
Kreu i BCCA-së, Dr. Klodian Allajbeu, argumenton se investimet në arsim, bursat dhe krijimi i vendeve të punës në Shqipëri mund të ndihmojnë në uljen e emigracionit të parregullt drejt Britanisë së Madhe.

Kreu i Dhomës Britanike të Tregtisë (BCCA), Dr. Klodian Allajbeu, shkruan në gazetën britanike "The Independent" se investimet në arsim, bursat dhe krijimi i vendeve të punës në Shqipëri mund të ndihmojnë në uljen e emigracionit të parregullt drejt Britanisë së Madhe.
Sipas tij, kontrollet kufitare dhe lufta kundër trafikantëve duhet të shoqërohen me mundësi konkrete që u jepin të rinjve arsye për të ndërtuar të ardhmen në vendin e tyre. Ai argumenton se rivendosja e bashkëpunimit praktik mes Britanisë dhe Evropës është e rëndësishme, por duhet të shoqërohet edhe me investime në vendet nga të cilat largohen emigrantët.
Sipas Allajbeut, debati është përqendruar për një kohë të gjatë tek masa parandaluese, dëbimet dhe kontrollet kufitare, duke i kushtuar më pak vëmendje pyetjes se përse njerëzit rrezikojnë jetën për të mbërritur në Britani. Ai e ilustron këtë situatë me realitetin e familjeve në veri të Shqipërisë. Një i ri mund të fitojë të drejten për të ndjekur universitetin, por familja nuk përballon dot tarifat.
Ndërkohë, një i afërm në Angli i premton punë dhe dikush i ofron një kontakt me trafikantët. Në këto rrethana, kalimi i rrezikshëm i Kanalit Anglez mund të niset të shihet si mundësi për një jetë më të mirë. Në shkrim përmendet rasti i një të ri nga Shkodra, i cili në vitin 2024 u përballe me këto zgjedhje. Ai dëshironte të studionte, por familja nuk kishte mundësi të mbulonte tarifat dhe jetesën në Tiranë.
Vëllai i tij ishte larguar tashmë nga Shqipëria dhe edhe ai po mendonte të paguante një trafikant për të shkuar në Britani. Sipas rrëfimit të Allajbeut, i ri përfitoi një bursë dhe vazhdoi studimet. Sot po përgatitet për provimet dhe e sheh të ardhmen në vendin e tij.
Për autorin, ky rast tregon se përballa me emigracionin e parregullt kërkon edhe masa që e bëjnë qëndrimin në atdhe një zgjedhje të realizueshme. Allajbeu sjell edhe shifrat e kalimeve të shqiptarëve drejt Britanisë me gomone. Sipas të dhënave që citon, rreth 800 shqiptarë kaluan Kanalin Anglez në vitin 2021. Numri u rrit në afërsisht 12.700 në vitin 2022, përpara se të zbriste në 927 në vitin 2023 dhe në 616 në vitin 2024.
Ai ia atribuon këto rënie forcimit të bashkëpunimit britaniko-shqiptar, marrëveshjes së vitit 2022 për kthimet dhe goditjes së rrjetave të trafikimit. Allajbeu thekson se bursat nuk ishin të vetmja përgjigje ndaj këtij fenomeni, por arsimi dhe punësimi mund të ndikojnë te arsyet që i shtynin njerëzit të largohen.
Në këtë kuadër, ai përmend nismat e Western Balkans University, universitetin e cilit e ka themeluar. Sipas tij, universiteti nisi të ofrojë bursa për studentët nga veriu i Shqipërisë, ku vështirësitë ekonomike dhe presioni për të emigruar janë të theksuara.
Parimi i kësaj nisme, shkruan ai, është që talenti të mos kufizohet nga të ardhurat e familjes apo vendbanimi. Allajbeu shkruan gjithashtu se në vitin 2023, me mbështetjen e Ambasadës Britanike në Tiranë, u lançua Dhomë Britanike e Tregtisë në Shqipëri.
Ai kujton vizitën që sekretari i atëhershëm i Jashtëm britanik, James Cleverly, zhvilloi në universitet në tetor të atij viti, ku takoi studentët përfitues të bursave dhe njohu rëndësinë e investimit në potencialin e të rinjve.
Sipas shifrave që jep në artikull, Dhomë financion më shumë se 150 bursa në vit për studentët nga rajone më pak të zhvilluara, përfshirë 50 përmes Western Balkans University. Gjithashtu, ajo mbështet çdo vit katër ose pesë përfitues të bursave Chevening, krahas atyre që financohen nga programi më i gjerë në Shqipëri.
Këto bursa u mundësonin diplomuarve të ndjekin studime të avancuara në Britani, përpara se të kthehen në atdhe. Ai shton se anëtarët e Dhomës po investojnë edhe në zona të prekura nga emigracioni drejt Britanisë.