Federata Spanjolle merr vendimin për Barcelonën, klubi katalanas gjobitet me 602 euro
Federata Spanjolle e Futbollit ka mbyllur hetimin disiplinor të nisur pas ankesës zyrtare të klubit madrilen, lidhur me kontaktet e dyshuara të paautorizuara të katalanasve me sulmuesin argjentinas Julian Alvarez.

Përfundon me një gjobë prej vetëm 602 eurosh për Barcelonën përplasja me Atletico Madrid për Julián Álvarez. Federata Spanjolle e Futbollit ka mbyllur hetimin disiplinor të nisur pas ankesës zyrtare të klubit madrilen, lidhur me kontaktet e dyshuara të paautorizuara të katalanasve me sulmuesin argjentinas. Çështja nisi në fund të korrikut, kur Atletico Madrid ngriti shqetësime për mënyrën se si drejtuesit e Barcelonës dyshohet se kishin tentuar të kontaktonin drejtpërdrejt me Álvarez, i cili ka një kontratë me klubin madrilen deri në qershor të vitit 2030. Sipas rregullave të futbollit spanjoll, një klub që dëshiron të negociojë me një futbollist që është nën kontratë me një skuadër tjetër duhet të njoftojë paraprakisht dhe me shkrim klubin që zotëron kartonin e tij. I pakënaqur me situatën, Atletico iu drejtua edhe FIFA-s, por institucioni ndërkombëtar deklaroi se nuk kishte juridiksion për të shqyrtuar çështjen, duke ia lënë trajtimin autoriteteve të futbollit spanjoll. Në përfundim të hetimit, organi disiplinor i RFEF-së konstatoi shkelje të nenit 133 të rregullores, që lidhet me parregullsi të vogla dhe mosrespektimin e detyrimeve rregullatore. Federata vendosi të aplikojë gjobën prej 602 eurosh, masën minimale të parashikuar për këtë shkelje.