Dronët goditën një anije kontejnerësh pranë Bullgarisë
Ministri i mbrojtjes bullgar, Dimitar Stoyanov, njoftoi se një anije kontejnerësh u godit me 3 dronë detare pranë brigjeve të Detit të Zi të Bullgarisë.

Dronë detarë goditën një anije kontejnerësh në brigjet e Detit të Zi të Bullgarisë të mërkurën. Kështu njoftoi ministri i mbrojtjes Dimitar Stoyanov. Ky rast vjen pas një seri sulmesh që kanë ngritur frikën rreth fushëveprimit në rritje të luftës së Rusisë në Ukrainë.
Nuk ishte e qartë se kush e kreu sulmin ndaj një anijeje greke kontejnerësh që lundronte nën flamurin liberian në zonën ekskluzive ekonomike të Bullgarisë.
Një burim i sigurisë detare me njohuri për çështjen tha se ekuipazhi ishte evakuuar. Radioja kombëtare bullgare raportoi se një anije cisternë u dërgua për të ndihmuar anijen e dëmtuar, e cila ishte në rrugë nga porti i Haifës në Izrael për në Konstanca të Rumanisë.
“Një anije kontejnerësh u godit… me 3 dronë detarë, afërsisht 21 milje në juglindje të Shablas”, u tha Stoyanov gazetarëve në margjinat e një takimi rajonal të sigurisë.
Sulmet me dronë ndaj anijeve tregtare pranë brigjeve të Bullgarisë me shumë gjasa kanë vrarë rreth dy duzina detarë ndërkombëtarë në javët e fundit. Të paktën 6 anije tregtare janë sulmuar.
Sulmet, të cilat shkaktuan dënim ndërkombëtar dhe shqetësim për shtrirjen në rritje të luftës në Ukrainë, e shtynë Bullgarinë, një anëtare të Bashkimit Evropian dhe NATO-s, të kërkonte ndihmë aleate për të forcuar sigurinë detare në rajonin e paqëndrueshëm.
Ukraina ka fajësuar Rusinë për sulmet, dhe kryeministri i Bullgarisë, Rumen Radev, ka thënë se sulmet duket se i sjellin dobi Rusisë, por Moska ka mohuar përfshirjen.