Ulja e pragut të TVSH-së do të krijojë vështirësi për bizneset e vogla
Kontabilistët dhe audituesit kërkojnë që zbatimi i menjëhershëm i uljes së pragut të TVSH-së të shtyhet për një periudhë nga 6 muaj deri në 1 vit, duke argumentuar se do të krijojë kosto shtesë administrative dhe financiare për bizneset e vogla.

Kontabilistët dhe audituesit kanë ngritën shqetësimin se zbatimi i menjëhershëm i uljes së pragut të TVSH-së do të krijojë vështirësi për bizneset e vogla. Ata argumentojnë se ulja e pragut do të sjellë kosto shtesë administrative dhe financiare për bizneset e vogla, që nuk kanë pasur kohë të mjaftueshme për t’u përgatitur për ndryshimet.
"Ulja e pragut të TVSH do të sjellë kosto për bizneset, i gjen të papritura bizneset vogla. Është një kosto për ta. Dhe përfitimi për formalizim nuk e justifikon këtë masë. Duhej u lënë më shumë afat për të hyrë në skemën e TVSH, pasi i vendos në vështirësi bizneset e vogla", theksoi një kontabilist.
Përfaqësuesit e Drejtorisë së Përgjithshme të Politikave Fiskale të Ministrisë së Financave pohuan gjatë mbledhjes se do të merret në konsideratë diskutimi i propozimit për shtyrjen e afatit të zbatimit për uljen e pragut të TVSH-së.
Nga ana tjetër, përfaqësuesit e Ministrisë së Financave argumentuan se ulja e pragut të TVSH-së synon rritjen e formalizimit të ekonomisë. Sipas tyre, sa më i gjerë të jetë zinxhiri i biznesave të përfshira në skemën e TVSH-së, aq më shumë mundësi krijohen për formalizimin e transaksioneve dhe përmirësimin e kontrollit fiskal.
Përfaqësuesit e Ministrisë së Financave vlerësuan gjithashtu se fiskalizimi krijon kushte më të përshtatshme për administrimin e procesit dhe zbatimin e ndryshimit.
Projektvendimi “Për disa ndryshime në vendimin nr. 953, datë 29.12.2014, të Këshillit të Ministrave, ‘Për dispozitat zbatuese të ligjit nr. 92/2014, “Për tatimin mbi vlerën e shtuar në Republikën e Shqipërisë”’, të ndryshuar” propozon të ulet pragu i regjistrimit të detyrueshëm për TVSH-në nga 10 mln lekë, që është aktualisht, në 5 mln lekë qarkullim vjetor.
Aktualisht, bizneset me qarkullim vjetor mbi 10 mln lekë janë të detyruara të regjistrohen në skemën e TVSH-së, ndërsa ato me qarkullim mbi 5 mln lekë mund të zgjedhin regjistrimin vullnetar, sipas kushteve të percaktuara në legjislacionin në fuqi.
TVSH te bizneset, pragu i detyrueshëm do të ulet në 5 mln lekë; Në skemë shtohen 17,5 mijë subjekte
Efekti shtesë në të ardhurat nga masa e propozuar llogaritet nga Ministria e Financave rreth 4,5 mld lekë apo rreth 47 mln euro.
Në total, ndryshimet në paketin fiskal llogarisin një efekt prej rreth 14 mld lekë shtesë apo rreth 150 mln euro të ardhura në buxhet.
150 mln euro taksa shtesë për bizneset e individëve nga rritja e tatimfitimit, dividend, akcize, TVSH
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autoritetit sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”. Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.