BE kërkon që vendet anëtare të përgatiten për ngrohjen globale 3°C
Bashkimi Evropian ka kërkuar vendeve anëtare të përgatiten për ngrohjen globale 3°C deri në vitin 2100, krahasuar me nivelet paraindustriale. Komisioni Evropian synon që përshtatja ndaj ndryshimeve të klimës të bëhet pjesë e planifikimit ekonomik dhe politikave kombëtare.

Bashkimi Evropian ka kërkuar vendeve anëtare të përgatiten për ngrohjen globale 3°C deri në vitin 2100, krahasuar me nivelet paraindustriale. Komisioni Evropian synon që përshtatja ndaj ndryshimeve të klimës të bëhet pjesë e planifikimit ekonomik dhe politikave kombëtare. Sipas agjencisë italiane të lajmeve ANSA, vendet e Bashkimit Evropian do të duhet të hartojnë plane strategjike kombëtare për të përshtatur me rritjen e pritshme të temperaturave. Kuadri i ri i miratuar nga Komisioni Evropian percakton një trajektore të përbashkët të ngrohjes globale, mbi të cilën shtetet duhet të bazojnë masat e tyre parandaluese. Për herë të parë, kuadri europian synon të japë shteteve anëtare përgjegjësi të drejtpërdrejtë për parandalimin e rreziqeve klimatike, duke e zhvendosur vëmendjen nga reagimi ndaj fatkeqësive natyrore drejt përgatitjes paraprake për pasojat e tyre. Planet kombëtare do të duhet të mbulojnë sektorët e ndryshëm të ekonomisë, përfshirë infrastrukturën, bujqësinë, energjinë dhe aktivitetet e tjera që janë të ekspozuara ndaj temperaturave ekstreme, tërmeteve, përmbytjeve dhe fenomeneve të tjera klimatike. Një element i rëndësishëm i qasjes së re është lidhja e monitorimit të qëndrueshmërisë klimatike me Semestrin Evropian, mekanizmin përmes të cilit Bashkimi Evropian koordinon dhe vlerëson politikat ekonomike dhe fiskale të vendeve anëtare. Kjo qasje synon që rreziqet klimatike të trajtohen jo vetëm si problem mjedisor, por edhe si faktor që ndikon në stabilitetin ekonomik, financat publike, investimet dhe aftësinë konkurruese të ekonomive evropiane. Rritja e temperaturave mund të ndikojë drejtpërdrejt në produktivitetin e punës, prodhimin bujqësor, kërkesën për energji dhe kostot e mirëmbajtjes së infrastrukturës. Në të njëjtin kohë, fenomenet ekstreme të motit mund të rrisin shpenzimet buxhetore për emergjencat dhe rindërtimin, duke ushtruar presion mbi financat publike. Përfshirja e përshtatjes klimatike në planifikimin ekonomik synon të nxisë qeveritë të identifikojnë këto rreziqe dhe të orientojnë investimet drejt forcimit të qëndrueshmërisë së ekonomive. Nisma e Komisionit Evropian vjen në një periudhë kur ndryshimet klimatike po marrin një peshë gjithnjë e më të madhe në politikat ekonomike të BE-së, krahas objektivave për uljen e emetimeve të gazit.