Flavio Bolsonaro mbërrin në Miami, Trump gati t’i japë vizë atij dhe familjes
Flavio Bolsonaro, senatori brazilian, ka mbërritur në Miami të SHBA-së, pas largimit nga Brazili. Ai është larguar në një kohë kur përballej me një hetim për pastrim parash. Gjykata i kishte tërhequr pasaportën e tij për të parandaluar largimin e tij nga Brazili.

Flavio Bolsonaro është larguar nga Brazili dhe ka mbërritur në Miami të SHBA-së, sipas raportimeve të mediave ndërkombëtare. Ai është udhëtuar së bashku me bashkëshorten dhe dy vajzat e tij. Ndërkohë, një zyrtar i Departamentit Amerikan të Shtetit i ka deklaruar CNN-it se Bolsonaros dhe familjes së tij do t’u lëshohen viza.
Sipas mediave braziliane, largimi i tij nga vendi vjen në një kohë kur ai përballej me një hetim për pastrim parash. Gjykata i kishte tërhequr pasaportën për të parandaluar largimin e tij nga Brazili, por raportimet mbi mënyrën se si ai ka udhëtuar jashtë vendit mbeten kontradiktore.
Sipas Drejtorisë Kombëtare të Migracionit të Argjentinës, Flavio Bolsonaro, bashkëshortja Fernanda Antunes Figueira Bolsonaro dhe vajzat Carolina dhe Luiza kanë hyrë në Argjentinë më 27 tetor, në orën 22:50, përmes pikës kufitare të Urës Ndërkombëtare Tancredo Neves, në provincën e Misiones.
Autoritetet argjentinase deklaruan se familja kishte dokumente të vlefshme udhëtimi dhe se nuk kishte pengesa ligjore për hyrjen në vend. Sipas të njëjtit njoftim, në orën 23:30, delegacioni u nis me një avion privat të kompanisë Baires Fly S.A., me destinacion Guayaquil, në Ekuador. Më pas, sipas agjencisë France Presse, Flavio Bolsonaro mbërriti në Miami të mërkurën pasdite.
Një burim i CNN-it ka bërë të ditur se senatori përdori pasaportën italiane për të hyrë në Argjentinë. Mediat kanë raportuar versione të ndryshme lidhur me dokumentet e udhëtimit të Bolsonaros. Fillimisht, portali Infobae raportoi se ai kishte mbërritur në aeroport, ku pritej të kryente procedurat doganore dhe të emigracionit përpara nisjes drejt SHBA-së.
Megjithatë, tërheqja e pasaportës braziliane do t’ia vështirësonte udhëtimin ndërkombëtar. Sipas gazetës braziliane O Globo, Bolsonaro nuk ua kishte dorëzuar autoriteteve pasaportat e tij. Për këtë arsye, policia braziliane vendosi t’ua anulonte vlefshmërinë.
Sipas raportimeve, mbetet e paqartë nëse ai ka kaluar përmes aeroportit të Puerto Iguazu-s, në Argjentinë. Në Shtetet e Bashkuara jeton prej shkurtit të vitit 2025 edhe vëllai i tij, Eduardo Bolsonaro, ish-deputet brazilian. Eduardo është përballur me procedura gjyqësore në Brazil, të lidhura me akuzat se ka përdorur ndikimin e tij për të nxitur sanksione amerikane ndaj autoriteteve dhe sektorëve ekonomikë brazilianë, me synimin për të ndikuar në proceset gjyqësore që lidhen me të atin, ish-presidentin Jair Bolsonaro.
Sipas raportimit, ai jeton në Southlake, Teksas, së bashku me bashkëshorten Heloísa, në një vilë prej rreth 424 metrash katrorë, me pishinë, me vlerë të përllogaritur rreth 6 milionë realë brazilianë, ose afërsisht 1,22 milionë dollarë.
Flavio Bolsonaro, kandidati i së djathtës që humbi balotazhin në zgjedhjet presidenciale, thuhet se synon të mbajë një konferencë për shtyp për të shpjeguar arsyet e largimit nga Brazili. Sipas raportimeve, deklarata mund të mbahet në Uashington.
Ndërkohë, deklarata e një zyrtari të Departamentit Amerikan të Shtetit për CNN-in, sipas së cilës atij dhe familjes do t’u lëshohen viza, pritet të qartësojë statusin e tyre të qëndrimit në SHBA.