"Dëgjoja britma, ishte e tmerrshme": Dëshmitë e të mbijetuarve nga aksidenti tragjik i trenave në Spanjë
68 persona kanë humbur jetën dhe 58 të tjerë janë trajtuar në spital pas përplasjes së dy trenave në Spanjë. Autoritetet thonë se operacionet e shpëtimit vazhdojnë dhe se 15 prej të mbijetuarve janë në gjendje kritike.

Përplasja e dy trenave në Spanjë u shkaktua kur treni Iryo, i cili ishte i palëvizshëm në shina, u përplas me trenin Renfe. Përplasja shkaktoi daljen nga shina të dy vagonëve të trenit Iryo. Kryetari i bashkisë së Los Gébenes, Jesús Pérez Martín, tha se situata ishte "tmerrshme" dhe se kishte raportime për amputime dhe lëndime të shumta.
Miguel, një pasagjer që udhëtonte në njërin prej trenave, tha se dëgjoi një zhurmë të fortë që zgjati rreth 10 sekonda. "Dëgjoja një zhurmë të fortë, një zhurmë të vërtetë të madhe që zgjati 10 sekonda, sikur treni po dilte nga shina. Nga dritarja e djathtë mund të shihnim një tren të demtuar. Mendoj se ishte treni tjetër", tha ai.
Patricia, një pasagjere shtatzënë, tha se nga dritarja pa një vagon të dalë nga shina dhe të djegur plotësisht. "Shoh shumë njerëz këtu. Sinqerisht, njerëzit në vagon vepruan me një qetësi të jashtëzakonshme, duke pasur parasysh situatën, dhe më ndihmuan të dilja. Jemi të gjithë këtu duke u përpjekur të kuptojmë çfarë ka ndodhur", tregoi ajo.
Ndërkohë, Eduarda, një 17-vjeçare që udhëtonte në njërin prej trenave, tha se në vendngjarje kishte kaos dhe se kishte parë viktima nën trena. "Shumë njerëz nuk mund të dilnin. Dëgjoja britma. Ishte e tmerrshme", tha ajo, duke e përshkruar ngjarjen si një katastrofë dhe duke treguar se njerëzit bërtisnin në panik.
Sipas autoriteteve, treni me shpejtësi të lartë AVE u përplas nga pas me trenin Iryo, i cili ishte i palëvizshëm në shina. Përplasja shkaktoi daljen nga shina të dy vagonëve të trenit Iryo. Treni Iryo transportonte 147 pasagjerë, ndërsa treni tjetër kishte 397 pasagjerë. Të dy trenat po udhëtonin drejt dhe nga Sevilja.